Sistemi i ri, Ambasada e BE-së jep njoftimin e rëndësishëm
Ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët nga vendet jashtë BE-së, përfshirë edhe shqiptarët, që udhëtojnë për qëndrim të shkurtër në 29 vendet e Zonës Shengen.
Sipas njoftimit, duke filluar nga data 12 tetor 2025, do të hyjë në fuqi Sistemi i ri i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES), një platformë digjitale që do të përdoret për të regjistruar:
Të dhënat e dokumentit të udhëtimit
Datat e mbërritjes dhe largimit nga zona Shengen
Të dhënat biometrike: shenjat e gishtave dhe imazhi i fytyrës
Ambasada thekson se kjo është një procedurë pa tarifë, që synon të forcojë menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe të zëvendësojë procesin aktual të stampimit të pasaportave.
Sistemi EES do të zbatohet vetëm për shtetasit e vendeve jashtë BE-së që udhëtojnë për periudha afatshkurtra (90 ditë brenda çdo 180-ditëshi), dhe nuk do të ndryshojë regjimin aktual të lëvizjes pa viza për qytetarët shqiptarë.
Ky është një hap drejt dixhitalizimit të kufijve dhe një përgatitje për zbatimin e ardhshëm të sistemit ETIAS, që do të kërkojë autorizim udhëtimi për qytetarët e vendeve të treta përpara hyrjes në BE.
Reagimi i Ambasadës së Bashkimit Europian në Tiranë
Përditësim i rëndësishëm për qytetarët e vendeve jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë ata shqiptarë, që udhëtojnë për qëndrim të shkurtër në 29 vendet e Zonës Shengen!
Nga data 12 tetor 2025, një sistem i ri i menaxhimit të kufijve, Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System), do të fillojë gradualisht të regjistrojë:
të dhënat nga dokumenti i udhëtimit
datat e mbërritjes dhe të largimit
të dhënat biometrike (shenjat e gishtave dhe imazhi i fytyrës)
Nuk kërkohet të bëni asnjë veprim para udhëtimit. Nuk ka asnjë tarifë shtesë.
Për më shumë informacion nga burimi zyrtar
https://travel-europe.europa.eu/ees
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



