Skandal me pronat në Tiranë: toka “avullon” me dokumenta false
Vihet në sekuestro ‘Garffs Construction’, në prapaskenë del emri i Daniel Shimës
Një çështje e dyshuar për tjetërsim të paligjshëm pronash në Tiranë ka sjellë ndërhyrjen e drejtësisë, me gjykatën që ka vendosur 6 masa sigurie ndaj personave të përfshirë. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 2350 m², ku më herët ishte ngritur një kapanon i kompanisë së mobilierisë “Saimiri F”.
Në fokus të hetimeve është kompania “Garffs Construction”, e regjistruar zyrtarisht në emër të Donada Xhalia, por që sipas burimeve hetimore dyshohet se drejtohet në prapaskenë nga Daniel Shima. Ky i fundit përmendet si individ me të kaluar problematike dhe i lidhur me aktivitete të dyshuara fajdesh në zonën e Tiranës dhe Kamzës. Prokuroria ka hapur hetim për pastrim parash dhe po vijon mbledhjen e provave.
Në fillim të marsit 2026, gjyqtarja Lorena Çabej firmosi masat e sigurisë: “arrest në burg” për Devis Bakalli dhe “arrest shtëpie” për Imer Çelaj, të dy të dyshuar për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, tre zyrtarë të Hipotekës Tiranë Nr. 2 — Blenar Sakaj, Thanas Leku dhe Florjan Zela — janë pezulluar nga detyra për shpërdorim detyre. Paralelisht, autoritetet kanë vendosur sekuestro preventive mbi kompaninë ndërtuese që kishte përfituar pronën përmes një transaksioni të dyshimtë.
Procedimi penal nisi pas kallëzimit të biznesmenit Alfred Hasani, i cili pretendon se prona i është marrë në mënyrë të paligjshme përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas është shitur me shpejtësi për të fshehur gjurmët. Sipas materialeve hetimore, pas sigurimit të certifikatës së pronësisë dhe procesit të legalizimit, prona u transferua në prill 2024 tek “Garffs Construction”.
Hasani ka dëshmuar gjithashtu se në shtator 2024 persona të tjerë janë paraqitur duke pretenduar pronësinë dhe duke kërkuar lirimin e objektit. Ai ka kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se kapanoni ishte ndërtuar dhe përdorej prej tij prej vitesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



