Skandal në Fakultetin e Mjekësisë, çështja në duart e Prokurorisë
Babai vlerëson me 10 djalin në provim
Një denoncim serioz në rrjetet sociale është ngritur nga gazetari Osman Stafa, duke sjellë në vëmendje një rast të dyshuar të konfliktit të interesit në procesin e vlerësimit akademik në Fakultetin e Mjekësisë.
Në një postim në Facebook, Stafa ka publikuar një procesverbal provimi, ku një pedagog, anëtar i komisionit të vlerësimit, i ka dhënë notën maksimale, 10, një studenti që rezulton të jetë djali i tij.
Sipas gazetarit, rasti është tashmë referuar në Prokurorinë e Tiranës për hetim të mëtejshëm. Ai ngre pikëpyetje të forta mbi objektivitetin e vlerësimit në këto rrethana, mungesën e barazisë mes studentëve dhe faktin se ende nuk ekziston një rregullore e qartë që ndalon përfshirjen e drejtpërdrejtë të prindërve në vlerësimin akademik të fëmijëve të tyre.
“Ky nuk është thjesht një debat për një notë në letër,” thekson Stafa. “Bëhet fjalë për standarde dhe integritet akademik — elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mjekëve të së nesërmes, të cilët do të kenë në dorë jetën e pacientëve. Notat, siç dihet, luajnë rol kyç në emërimet e ardhshme profesionale.”
Postimi i plotë:
Në një procesverbal provimi të Fakultetit të Mjekësisë, pedagogu vlerëson djalin i tij.
Rasti qënka referuar në Prokurorinë e Tiranës për konflikt interesi.
Nuk dua të paragjykoj: djali mund ta ketë merituar realisht notën 10. Por fakti që babai i tij ishte pjesë e komisionit e zhbën vlerësimin real.
Pyetje:
A mund të jetë një prind objektiv në vlerësimin e fëmijës së tij?
A nuk duhej që vlerësimi të bëhej nga një pedagog tjetër, për të shmangur çdo dyshim?
A është kjo e drejtë në raport me studentët e tjerë?
A ka pedagogë të tjerë mjekë, që vlerësojnë fëmijët e tyre, apo ky është rast i mbyllur?
A lejohet një praktikë e tij dhe a konsiderohet normale nga Fakulteti i Mjekësisë?
Dihet që shumë mjekë, duan që fëmijët të jenë trashgimtarë të profesionit. Por nëse s’ka, pse nuk e ka vendosur një rregullore Fakulteti, që ata mjekë që kanë fëmijët e tyre studentë të mjekësisë, s’mund t’i vlerësojnë ata.
Sepse kur hapet nesër vendi i punës, mesatarja luan rol vendimtar në punësim. S’ka lidhje me rastin. Por pse një djalë apo vajzë e një mjeku, merr 10-të (ndoshta të pamerituar) dhe ai studenti tjetër që e merr me meritë 9-ën, të jetë pas këtij të parit në radhën për punësim. A është e drejtë kjo?
Dhe vetë drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë (firmat në fund të letrës) e legjitimojnë këtë praktikë.
Këto nuk janë thjesht “nota” në letër. Janë standarde që përcaktojnë nesër cilët mjekë do të mbajnë në dorë jetët e pacientëve. Ky është halli im!

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



