E trishtë! Ndahet nga jeta mjeku dhe pedagogu Skerdi Prifti
Është ndarë papritur nga jeta Prof. Skerdi Prifti, një prej emrave të njohur të mjekësisë shqiptare, veçanërisht në fushën e gastrohepatologjisë dhe endoskopisë.
Lajmi është bërë publik nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë, i cili përmes një mesazhi ngushëllimi ka vlerësuar kontributin e gjatë të Prof. Priftit në mjekësi, edukimin universitar dhe kërkimin shkencor.
Prof. Skerdi Prifti e ndërtoi karrierën e tij përgjatë disa dekadave, duke u angazhuar njëkohësisht në aktivitetin klinik, akademik dhe kërkimor. Ai ishte veçanërisht i përfshirë në zhvillimin e endoskopisë diagnostike dhe terapeutike në Shqipëri.
Pas diplomimit në Mjekësi në vitin 1986, Prifti vijoi formimin akademik dhe në vitin 1995 mori gradën shkencore PhD. Një pjesë e rëndësishme e përgatitjes së tij profesionale u zhvillua edhe në institucione ndërkombëtare.
Si përfitues i bursave Fulbright, ai u formua në Georgetown University në Washington D.C., ku u specializua në endoskopinë diagnostike dhe terapeutike. Eksperienca e fituar jashtë vendit, përfshirë atë në endoskopinë e avancuar dhe ERCP, u reflektua më pas në veprimtarinë e tij klinike dhe akademike në Shqipëri.
Veprimtaria e Prof. Priftit shtrihej edhe në kërkimin shkencor dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Ai ka marrë pjesë në projekte dhe bashkëpunime me institucione në Danimarkë, Francë dhe Shtetet e Bashkuara, me fokus ndër të tjera te Helicobacter pylori dhe sëmundjet e traktit gastrointestinal.
Në karrierën e tij, Prof. Prifti mbajti edhe disa poste drejtuese. Ai drejtoi Njësinë e Endoskopisë pranë Shërbimit të Gastrohepatologjisë në QSUT, ndërsa ka shërbyer gjithashtu si President i Shoqatës Shqiptare të Gastrohepatologjisë.
Një tjetër përgjegjësi e rëndësishme ishte drejtimi i Departamentit të Sëmundjeve të Brendshme në Fakultetin e Mjekësisë, detyrë që e mbajti për dy mandate.
Për kolegët dhe studentët, ai do të mbahet mend jo vetëm për kontributin në praktikën mjekësore, por edhe për rolin e tij në formimin e brezave të rinj të mjekëve. Fakulteti i Mjekësisë e ka cilësuar ndarjen e tij nga jeta si një humbje të rëndësishme për institucionin, shërbimin e gastrohepatologjisë dhe komunitetin mjekësor shqiptar.
Në mesazhin e publikuar, Fakulteti i Mjekësisë shpreh ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e Prof. Priftit, duke e cilësuar kujtimin e tij si të paharruar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



