E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skandal te “Komunën e Parisit”: Kulla 24-katëshe devijon tubin e ujit
Lajme

Skandal te “Komunën e Parisit”: Kulla 24-katëshe devijon tubin e ujit

Rama e Balluku i japin leje “TDT & Partners” të Dajlan Avdisë dhe Glendi Abdiut për 24 katet e betonit

Nëse deri më sot ligjet e fizikës dhe standardet inxhinierike janë konsideruar të panegociueshme, realiteti në Tiranë duket se po sfidon çdo kufi. Një projekt ndërtimi në zonën e “Komunës së Parisit”, konkretisht në Rrugën e Kosovarëve, ka ngritur shqetësime serioze tek banorët dhe ekspertët, për shkak të ndërhyrjeve të rrezikshme në infrastrukturën jetike të ujësjellësit.

Bëhet fjalë për ndërtimin e kullës “Komuna Building”, një strukturë masive me 24 kate mbi tokë dhe 6 kate parkim nëntokësor. Projekti ka marrë miratimin zyrtar nga institucionet më të larta shtetërore, përfshirë firmat e Kryetarit të KKT-së, Edi Rama, dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Pas këtij zhvillimi qëndron kompania “TDT & Partners” SHPK, e zotëruar në mënyrë të barabartë nga Glendi Abdi dhe Dajlan Avdia. Këta emra nuk janë të panjohur në skenën e biznesit dhe janë përfolur për lidhje të forta me nivele të larta të pushtetit dhe sektorë të diskutueshëm ekonomikë.

Dajlan Avdia njihet si ish-aksioner i kompanisë së lojërave të fatit “APEX”. Sipas denoncimeve të mëparshme nga opozita, ai ka ndjekur një model të shpejtë investimi, duke kanalizuar kapitalet nga sektori i bixhozit drejt ndërtimit të kullave shumëkatëshe në zona elitare të Tiranës, si Ish-Blloku, pranë Kullës së Sahatit dhe pas Presidencës.

Në këtë rrjet marrëdhëniesh përfshihet edhe një element tjetër i rëndësishëm: lidhjet me familjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas të dhënave të publikuara më herët, Arbër Veliaj, përmes kompanisë “Gogël”, ka porositur një apartament dhe disa garazhe me vlerë mbi 800 mijë euro në një objekt tjetër të ndërtuar nga “TDT & Partners”, pranë Kullës së Sahatit.

Ky konfigurim interesash hedh dritë mbi trajtimin preferencial që këta ndërtues duket se gëzojnë nga institucionet. Gjatë punimeve për themelet e kullës në “Komunën e Parisit”, është hasur një element kritik: tubi magjistral metalik i ujit, një nga linjat kryesore që furnizon kryeqytetin me ujë të pijshëm.

Në rrethana normale, një situatë e tillë do të sillte pezullimin e menjëhershëm të punimeve për të shmangur rreziqet potenciale. Megjithatë, në këtë rast, zgjidhja që po shqyrtohet në bashkëpunim me UKT-në konsiderohet tejet problematike: prerja e tubit ekzistues dhe devijimi i tij me bërryla rreth themeleve të kullës, vetëm për të mos penguar realizimin e projektit.

Sipas burimeve në terren, punimet janë shoqëruar me masa për të shmangur ekspozimin publik. Fadromat janë vendosur në mënyrë të tillë që të pengojnë pamjet nga jashtë, ndërsa dokumentimi me dron nga qytetarët është bërë i vështirë. Ndërkohë, inxhinierë të UKT-së kanë kryer matje në kushte të kufizuara transparence mbi linjën e ekspozuar të ujit.

Situata ngre pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë urbane dhe standardet e ndërtimit. Ndërsa qyteti përballet me densitet gjithnjë në rritje ndërtimesh, infrastruktura bazë si furnizimi me ujë rrezikon të përshtatet sipas interesave të projekteve private.

Nëse një ndërhyrje e tillë rezulton problematike në të ardhmen, pasojat mund të jenë serioze për një pjesë të madhe të kryeqytetit. Megjithatë, shqetësimi kryesor mbetet fakti se vendimmarrje të tilla duket se po merren në funksion të interesave të ngushta, duke vendosur në plan të dytë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.