Ramës nuk i del e keqja, ‘shtang’ drejtorët e Veliajt me vendimin e fundit
Qeveria refuzon projektin e “5D Konstruksion” në Himarë
Qeveria ka refuzuar një projekt të kompanisë “5D Konstruksion” për ndërtimin e një kompleksi turistik në zonën e Himarës, duke rikthyer në vëmendje të kaluarën e debatueshme të kësaj firme dhe lidhjet e saj të dyshuara me ish-zyrtarë të lartë vendorë.
Projekti në fjalë ngre pikëpyetje të forta, jo vetëm për shkak të përmasave të investimit të planifikuar, por edhe për historikun e kompanisë, e cila më herët është përmendur në hetimet e Prokurorisë së Posaçme për lidhje me ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës.
Sipas dokumenteve zyrtare, më 13 maj 2026, autoritetet kanë vendosur të mos japin leje ndërtimi për këtë projekt.

Në vendim thuhet se është refuzuar kërkesa për ndërtimin e një “kompleksi turistik 1-2 kate, me 3 kate nëntokë” në territorin e Bashkisë Himarë, ku subjekt zhvillues është shoqëria “5D Konstruksion”.
Kompania rezulton në pronësi të Nestor Muhametllarit, emër i njohur në një nga dosjet e SPAK-ut, ku janë hetuar lidhje të mundshme me ish-zyrtarë vendorë. Sipas hetimeve, atij i është sekuestruar edhe telefoni, në të cilin janë gjetur komunikime me persona të përfshirë në këtë çështje.
Në të njëjtën dosje janë përmendur edhe emrat e Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, të cilët janë dënuar për përfshirje në këtë skemë.
Ndërkohë, një tjetër element që ngre dyshime është mënyra se si kompania ka kaluar në pronësi të Muhametllarit. Në vitin 2021, ai ka blerë shoqërinë “V.A.S Konstruksion” për një vlerë rreth 1 milion lekë të rinj, një shumë relativisht e ulët krahasuar me aktivitetin financiar të kompanisë në atë periudhë.

Pak muaj pas këtij transaksioni, kompania ka ndryshuar emrin në “5D Konstruksion”, duke shtuar më tej dyshimet e hetuesve për lidhje të mundshme me rrjete ndikimi brenda administratës publike.

Refuzimi i lejes nga ana e qeverisë shihet si një sinjal i fortë ndaj projekteve që mbartin histori të paqarta pronësie dhe lidhje të dyshuara me afera të mëparshme.
Megjithatë, mbeten ende shumë pyetje pa përgjigje: si është përfituar sipërfaqja e konsiderueshme e tokës në një zonë kaq të ndjeshme si Himara dhe cilat ishin konkretisht planet e investimit.
Ndërkohë, çështja rikthen në fokus nevojën për transparencë të plotë mbi përfituesit realë të projekteve të mëdha dhe lidhjet e tyre me vendimmarrjen publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




