Publik.al ka zbuluar të vërtetën pas dorëheqjes së bujshme të komandantit të Gardës së Republikës, Ermal Onuzi. Ajo që u raportua si një lëvizje e zakonshme institucionale, në të vërtetë është një shkarkim i fshehtë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, për të mbuluar dhjetëra skandale që kanë ndodhur gjatë drejtimit të Gardës nga Onuzi.
Sipas dokumenteve të siguruara ekskluzivisht nga Publik.al, një grup efektivësh të Gardës i kanë dërguar një letër urgjente Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, ku denoncojnë drejtpërdrejt sjelljet e rënda dhe abuzimet e Komandantit Ermal Onuzi.
Në letër, efektivët hedhin akuza të rënda për:
- Emërime të paligjshme dhe pa asnjë formë konkurrimi të personave të afërt me drejtuesit aktualë.
- Lëvizje arbitrare të stafit pa asnjë motivim ligjor, shpesh me qëllim ndëshkues ndaj atyre që kundërshtonin urdhrat abuzivë.
- Keqpërdorim të efektivëve për detyra që binin ndesh me funksionin e tyre dhe me etikën e Gardës së Republikës.
- Shkelje të rënda të rregullores së brendshme, si dhe sjellje të papërshtatshme nga vetë Komandanti dhe një grup drejtorësh të tij të emëruar në mënyrë klienteliste.
Burime të sigurta pranë Kryeministrisë konfirmojnë për Publik.al se pas akumulimit të ankesave të shumta dhe presionit në rritje nga vetë efektivët e Gardës, Edi Rama ka ndërhyrë personalisht, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të Onuzit – që u paketua publikisht si “dorëheqje”.
Dorëheqja e detyruar e Ermal Onuzit vjen në një kohë kur Garda e Republikës ndodhet përballë krizës më të thellë të besimit dhe funksionimit të brendshëm.
Publik.al do të vijojë të publikojë të tjera fakte dhe dëshmi tronditëse mbi skandalet që shoqëruan drejtimin e Gardës nga Ermal Onuzi një histori e mbushur me abuzim, arrogancë dhe shkelje ligjore që tani po përpiqen të mbulohen me heshtje.