Skandali i “Kurum” me mbetjet, arrestohet inspektori i Portit të Durrësit
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një inspektor të Portit të Durrësit, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për skandalin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”. Ai dyshohet për shpërdorim detyre në lidhje me këtë çështje që prej kohësh është nën hetim nga autoritetet.
Në pranga ka rënë 37-vjeçari Xhuljo Golgota, me detyrë inspektor në port. Sipas policisë, ai ishte në listën e personave në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Eko-Toxic”, i cili lidhet me dosjen e transportit dhe menaxhimit të mbetjeve kimike të rrezikshme të “Kurum”. Deri më tani, në këtë hetim janë vendosur masa sigurie për 21 persona, ndërsa 12 të tjerë rezultojnë në kërkim ose nën hetim.
Autoritetet bëjnë të ditur se ndalimi i tij u realizua nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas vendimit të Gjykatës së Durrësit që kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, strukturat e policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të së njëjtës dosje.
Masat e sigurisë për të përfshirët në dosjen “Kurum”
Më 6 shkurt, Gjykata e Durrësit vendosi masat e sigurisë për 20 persona të arrestuar dhe 13 të tjerë nën hetim në lidhje me çështjen e 2800 tonëve mbetje toksike, të cilat dyshohet se do të eksportoheshin në mënyrë të paligjshme jashtë vendit. Hetimi lidhet me 102 kontejnerë me mbetje të rrezikshme që u kthyen nga Tajlanda në tetor 2024.
Pas një seance të gjatë me dyer të mbyllura, gjykata pranoi kërkesat e prokurorisë duke vendosur:
-
9 masa “arrest në burg”
-
5 masa “arrest në shtëpi”
-
6 masa “ndalim i daljes jashtë shtetit”
-
disa masa “detyrim paraqitjeje” në policinë gjyqësore
Në total u vendosën edhe 10 zëvendësime masash sigurie dhe 10 vijime të masave ekzistuese.
Masat më të rënda, “arrest në burg”, u dhanë për disa nga të dyshuarit kryesorë të përfshirë në kontrabandë, falsifikim dokumentesh dhe menaxhim të paligjshëm të mbetjeve. Të tjerë persona u lanë në arrest shtëpie ose nën masa më të lehta sigurie, si ndalimi i daljes jashtë vendit dhe detyrimi për t’u paraqitur rregullisht në policinë gjyqësore.
Dosja e “Kurum” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e krimeve mjedisore dhe ekonomike, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për përgjegjësitë individuale dhe institucionale në këtë skemë të dyshuar të transportit dhe menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



