Skandali i spiunazhit, si tentoi Serbia rekrutimin e Albin Kurtit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale, “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sipas aktakuzës së siguruar nga KOHA, në telefonin e Shehollit është gjetur një dokument i emërtuar “Leptiri”, i përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitin 2001.
Dokumenti përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit, gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë. Sipas Prokurorisë, përmes këtij materiali synohej ushtrimi i presionit ndaj Kurtit për të bashkëpunuar me RDB-në, shërbimin e atëhershëm të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Nga hetimet, sipas aktakuzës, rezulton se Sheholli ia ka përcjellë dokumentin persona të ndryshëm dhe ka kërkuar që ai të përkthehej nga serbishtja në shqip.
“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria thekson se dokumenti ishte i nënshkruar nga shefi i sektorit III të Sigurimit Shtetëror Serb (RDB).
Sheholli: “Këtë dokument ma ka dërguar Bojan Dimiç”
Në aktakuzë përfshihet edhe dëshmia e Fatmir Shehollit gjatë marrjes në pyetje, ku ai ka treguar se dokumentin “Leptiri” e kishte marrë nga Bojan Dimiç.
Prokurori: “Këtë dokument ‘Leptiri’ nga e keni?”
Fatmir Sheholli: “Këtë dokument ma ka dërgu Bojan Dimiç në telefonin tim.”
Më tej, prokurori e pyet se kujt ia kishte shpërndarë dokumentin që kishte marrë nga Dimiç.
Prokurori: “Kujt ia keni shpërndarë dokumentin ‘Leptiri’ që e keni marrë nga Bojan Dimiç?”
Fatmir Sheholli: “Këtë ia kam dërgu Milazim Gashit, një mikut tim i cili është në SHISH të Shqipërisë, me emrin Dritan Gjoni – shef i SHISH-it në Durrës, ia kam dërgu Blerim Canajt dhe një personi me emrin Bashkim Pushkolli, por nuk jam i sigurt a ia kam dërgu.”
Sipas Prokurorisë Speciale, dokumenti dhe komunikimet e gjetura në telefonin e Shehollit janë pjesë e provave që lidhen me kontaktet e tij me persona të dyshuar si të lidhur me strukturat e sigurisë serbe.
Aktakuza ndaj Shehollit përfshin edhe materiale dhe komunikime të tjera që Prokuroria i konsideron të rëndësishme për të mbështetur akuzat për spiunazh dhe shantazh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



