“Spitali Francez rrezikon të mbyllet, mjekët me klinika private”
Gazetari Osman Stafa ka ngritur alarmin për gjendjen e sistemit shëndetësor publik në Shqipëri, duke e cilësuar atë në prag kolapsi dhe duke sjellë shembuj konkretë mbi mungesat dhe problematikat në spitalet shtetërore.
Sipas tij, në 10 ditët e fundit të çdo muaji, analizat laboratorike nuk kryhen për shkak të kufizimeve buxhetore të koncesionit, duke detyruar pacientët të presin deri në një muaj e gjysmë ose të drejtohen drejt sektorit privat. Ai theksoi se qytetarët paguajnë nga 1500 deri në 2000 euro për një PET-Scan jashtë vendit, ndërsa për ndërhyrje jetike si trombektomia, kostot në privat arrijnë në 30,000–32,000 euro, edhe pse pajisjet në publik ekzistojnë, por nuk vihen në funksion.
Stafa ngriti shqetësimin edhe për mungesën e lenteve prej një viti në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, duke theksuar se pacientët detyrohen të paguajnë 700–800 euro në klinika private për ndërhyrje të domosdoshme.
Ai u shpreh se mungesat e ilaçeve, pajisjeve dhe shërbimeve bazë në sistemin publik po i shtyjnë qytetarët drejt privatit, duke e kthyer shëndetësinë në një sistem që nuk zgjidh problemet, por i transferon ato drejt kostove të larta për pacientët.
Në vijim, gazetari solli edhe dëshmi konkrete nga përvoja në terren, duke theksuar:
“Në gjendjen për fëmijët, për shembull në pediatri: kur u ngrit alarmi i madh në datat 24–25, atëherë i kanë çuar ditën tjetër. Ua kanë pranuar sërish analizat, sepse për dy ditë nuk ua pranuan. Dhe unë këto i kam me fakte. Sigurisht, kam edhe kontratën e shtetit shqiptar me koncesionarin, ku thuhet fare qartë: kemi listë pritjeje, dhe nëse buxheti i muajit ezaurohet para mbylljes së muajit. Gjithashtu thuhet se ka analiza urgjente, por nëse mbushet volumi 5%, nuk janë të detyruar t’i bëjnë më, përveç nëse paguhen. Dhe këta nuk paguajnë. Të thonë: “prit muajin tjetër”; nuk ka problem nëse shkon me urgjencë në spital. Ke një problem, për shembull me krahun e majtë, ke shqetësime të tjera, duhet të bësh troponinën për të parë nëse ke infarkt apo jo, por nuk i bën dot. Do presësh muajin tjetër. S’ka gjë, le të të bjerë infarkti; ti do presësh muajin tjetër.
Kjo është realiteti. Ndonjëherë më vjen të plas, o Flavio, sepse e kanë bërë shëndetësinë çështje politike: i majtë, i djathtë. Por sëmuren të gjithë. Duhet ta kuptoni: sëmuren të gjithë. Nuk pyet sëmundja nëse je i majtë apo i djathtë. Nuk pyet apandesiti nëse je i majtë apo i djathtë. Asnjë sëmundje nuk pyet për bindjet e tua politike. Është sëmundje. Dhe spitali nuk duhet të ketë politikë; duhet të ketë shërbim, qoftë me një qeveri të djathtë apo të majtë.
Realisht, në këtë vend nuk e di çfarë u kanë bërë njerëzve, por është çmenduri. Nëse nuk reagon as për shëndetësinë, që mund të të prekë në çdo moment, në çdo kohë fëmija yt, nëna, babai, motra, vëllai atëherë nuk e di çfarë tjetër duhet të ndodhë që njerëzit të reagojnë. Është shëndetësia: shkon në spital, shkon në urgjencë dhe nuk bën analiza; shkon në spitalin onkologjik dhe nuk ka ilaçe; pëson një goditje në kokë dhe nuk ka trombektomi; do të bësh një PET-Scan dhe nuk e bën dot në Shqipëri, por duhet të marrësh avionin dhe të paguash 1500–2000 euro me gjithë hotelerinë për ta bërë në Turqi. Do të bësh ekzaminime të tjera dhe nuk ka pajisje. Pra, nuk e di çfarë duhet të ndodhë që ky popull të reagojë e të thotë: “prit pak”. Okej, mund të ketë abuzime diku tjetër, por të paktën na siguroni shëndetësinë.
E kuptoj që reagimi është zbehur dhe sikur nuk ka reagim për asgjë, por të paktën për shëndetësinë, sepse të prek drejtpërdrejt. Shkon në spital dhe, nëse nuk trajtohesh, mund të vdesësh. Nëse vendos partinë apo diçka tjetër para jetës tënde, atëherë rri në shtëpi dhe përballu me pasojat.
Nuk po bëj krahasime me të kaluarën. Po flas për vitin 2026. Në 2026 nuk mund të bësh analiza në 10 ditët e fundit të muajit. Shkon te mjeku i familjes dhe nuk i bën dot analizat; rezultatet mund të dalin pas një muaji e gjysmë. Nëse je i sëmurë kronik, mjeku të thotë se radha për analiza del pas një muaji e gjysmë. Kjo është diçka tjetër nga problemi i 10 ditëve të fundit të muajit, që lidhet me pacientët e shtruar. Edhe të moshuarit apo të tjerë që shkojnë te mjeku i familjes nuk i bëjnë dot analizat; presin një muaj e gjysmë apo dy muaj. Dhe çfarë bëjnë? Shkojnë te privati.
Privati ka lulëzuar jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Analizat private janë bërë biznes shumë fitimprurës. Mjafton të shkosh në një klinikë private dhe do të shohësh radhë të gjata pacientësh. Nuk i bën shteti, nuk bëhen në spitale, ndaj njerëzit detyrohen t’i bëjnë privatisht.
Ndërkohë, ka edhe një problem tjetër: ai i lenteve në okulistikë. Ka një vit pa lente në QSUT dhe spitali francez rrezikon të mbyllet, sepse nuk ka më mjekë. Shumë prej tyre kanë hapur klinika private dhe spitali shërben vetëm për të pritur pacientët e më pas për t’i transferuar. Pacientët shkojnë aty dhe u thuhet se nuk ka mjek për ndërhyrjen apo për vendosjen e lenteve. Një 70-vjeçar nuk pret dot një vit për një lente. Nuk pret dot.
Pra, jo vetëm ky pavion. Edhe pavione të tjera funksionojnë si “urë” drejt privatit: endokrinologjia, kardiokirurgjia dhe të tjera. Në spitalin publik, në neurokirurgji apo neurologji në QSUT, nuk kryhen procedura si trombektomia apo arteriografia, edhe pse janë jetike dhe zgjasin më pak se një orë. Për një goditje në tru, ndërhyrja duhet bërë brenda gjashtë orëve të para. Pajisjet ekzistojnë janë blerë, madje kushtojnë miliona euro por nuk vihen në punë. Askush nuk e di pse.
Dhe çfarë ndodh me pacientët? Nëse kanë 30–32 mijë euro, shkojnë te privati; nëse jo, përballen me dy mundësi: vdekje ose paralizë e përhershme. Kjo është kosto për familjen dhe për shtetin.
Prandaj them: pajisjet janë, por nuk përdoren. Ndërkohë, reagimet zyrtare shpesh janë kontradiktore. Thuhet se situata do rregullohet “deri në fund të vitit”, por pacientët nuk presin dot. Një pacient me kancer apo me urgjencë neurologjike ka nevojë për trajtim tani, jo pas muajsh. Nëse shteti nuk e ofron dot shërbimin, të paktën duhet ta rimbursojë.
Ka raste konkrete njerëzish që presin prej vitesh për ndërhyrje që nuk kryhen në Shqipëri. Nuk mund t’i thuash një pacienti “prit”, kur jeta e tij është në rrezik. Sëmundja nuk pret. Prandaj kjo situatë nuk është më thjesht problematikë; është një skandal i rëndë.“- tha gazetari në “Kafe Shqeto”.







