Skandali zgjedhor në Berat: Si i ‘blen’ Salillari 300-milionësh votat për llogari të Ramës

Pëllumb Salillari, oligarku i preferuar i qeverisë Rama, po hedh miliona për financimin ilegal të fushatës së PS-së në Berat, Kuçovë dhe Dimal. SPAK-u qëndron indiferent, ndërkohë që provat e krimit zgjedhor janë evidente. Korrupsioni dhe blerja e votës, nën heshtjen e drejtësisë, e thellojnë edhe më tej krizën e demokracisë në vend…

Një nga oligarkët më të përkëdhelur të qeverisë së Edi Ramës, Pëllumb Salillari, po financon hapur dhe masivisht fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit. Burime ekskluzive për “Pamfleti” bëjnë me dije se biznesmeni Salillari ka marrë në patronazh plot 10 qendra elektorale kryesore në Berat, Dimal dhe Kuçovë, duke hedhur miliona në dispozicion të tyre.

Këto fonde të majme përdoren për pagesën e qirave të zyrave elektorale, pagesat e aktivistëve në terren, propagandën në media lokale dhe rrjetet sociale, si dhe për blerjen e votave përmes patronazhistëve të specializuar në këtë praktikë kriminale, që kanë “eksperiencën” e fushatave zgjedhore 2017-2023.

Sipas burimeve, vetë strukturat lokale të PS-së konfirmojnë se Salillari po shpërndan miliona euro, që mbërrijnë në qendrat elektorale nëpërmjet personave të besuar, të caktuar drejtpërdrejt nga drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët më pas organizojnë shpërndarjen e fondeve sipas rëndësisë dhe peshës së çdo zone elektorale.

Kjo praktikë kriminale është e përsëritur. Në zgjedhjet lokale të vitit 2023, në Kuçovë e Dimal, oligarku Salillari financoi hapur kandidatët socialistë për kryetarë bashkish, Kreshnik Hajdarin dhe Juliana Memën, duke përdorur të njëjtat skema financiare të blerjes së votave.

Në zgjedhjet parlamentare të viteve 2017 dhe 2021, Salillari është implikuar gjithashtu në financimin ilegal të fushatës së PS-së, duke financuar edhe drejtues të policisë së shtetit për të ushtruar presion mbi qytetarët dhe për të bllokuar çdo denoncim.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përpara syve prova të mjaftueshme për të vepruar ndaj këtij krimi zgjedhor, pasi veprimet e Pëllumb Salillarit janë një shkelje flagrante e ligjit. Me mbi 50 leje ndërtimi për kulla, hotele e pallate dhe afro 300 milionë euro në tenderë, koncesione dhe pasuri shtetërore nga qeveria Rama, aktiviteti i Salillarit përbën një rast të pastër korrupsioni dhe blerjeje votash.

Është shqetësuese heshtja dhe pasiviteti i strukturave ligjzbatuese dhe drejtësisë, duke vërtetuar edhe një herë se oligarkët e pushtetit mbeten të paprekshëm, ndërsa drejtësia dhe policia nuk guxojnë të hetojnë dhe të ndëshkojnë financuesit kryesorë të partisë në pushtet./Pamfleti

Publikuar nga Publik Media