Skënder Hita: Bashkëpunimi rajonal, kyç kundër migracionit
Zhvillohet konferenca rajonale në Kosovë për Task-Forcën e Përbashkët për Migracionin
Në Kosovë u zhvillua takimi i radhës në kuadër të Task-Forcës së Përbashkët për Migracionin, ku morën pjesë drejtues të lartë të agjencive ligjzbatuese nga rajoni dhe partnerë ndërkombëtarë. Mikpritës i aktivitetit ishte Policia e Kosovës, ndërsa në tryezë u ulën përfaqësues nga Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, i cili gjatë fjalës së tij vuri në dukje rëndësinë e këtij mekanizmi si një instrument konkret bashkëpunimi operacional. Ai theksoi se koordinimi i shpejtë mes institucioneve, shkëmbimi i informacionit në kohë reale dhe ndërthurja e veprimeve në terren kanë dhënë rezultate të prekshme në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale që e mbështesin atë.
Sipas Hitës, vetëm përmes një bashkëpunimi të thelluar rajonal dhe një qasjeje të unifikuar mund të arrihen goditje efektive ndaj grupeve të strukturuara kriminale që operojnë përtej kufijve. Ai nënvizoi gjithashtu angazhimin e Policisë së Shtetit për të forcuar më tej këtë partneritet dhe për të zgjeruar bashkëpunimin me strukturat homologe.
Gjatë konferencës, autoritetet kosovare vlerësuan kontributin e Shqipërisë në funksionimin e Task-Forcës, si dhe mbështetjen për përfshirjen e Policisë së Kosovës në këtë mekanizëm të përbashkët. Ndërkohë, përfaqësuesja e Home Office britanik, Vikki Pullen, evidentoi rëndësinë e angazhimit të koordinuar të policive të rajonit në adresimin e sfidave që lidhen me migracionin e paligjshëm.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit operacional dhe rritjen e shkëmbimit të inteligjencës, me synimin për të përmbushur në mënyrë sa më efikase objektivat e Task-Forcës.
Operacionet e përbashkëta të zhvilluara në këtë kuadër, të njohura me emrat “Marewood”, “Esterwick”, “Nomada” dhe “Venton”, kanë çuar në goditjen e disa rrjeteve kriminale të përfshira në transportimin e emigrantëve të paligjshëm, lëvizjet drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe aktivitetet e pastrimit të parave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





