Skënder Hita në vizitë zyrtare në Kosovë: Jam mes vëllezërve!
Në fokus lufta kundër krimit të organizuar
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, ku është pritur në Prishtinë nga homologu i tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.
Në këtë takim morën pjesë gjithashtu ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe drejtues të lartë të strukturave policore nga të dy vendet. Gjatë diskutimeve u vlerësua niveli i bashkëpunimit ekzistues dhe rezultatet konkrete të arritura në luftën kundër kriminalitetit.
Në fjalën e tij, Skënder Hita theksoi dimensionin emocional të kësaj vizite, duke e cilësuar atë më shumë se një angazhim formal.
“Ka vende që kur shkel, ndihen më shumë sesa mund të thuhen me fjalë. Prishtina është një prej tyre. Dhe unë sot, në vizitën time të parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk e ndjej këtë si një detyrim protokollar, por si privilegj, sepse jam mes vëllezërve”, u shpreh ai.
Hita u ndal edhe te sfidat aktuale të sigurisë, duke nënvizuar se realiteti i ri i kriminalitetit kërkon reagim të përbashkët dhe koordinim më të fortë ndërinstitucional.
“Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive tona dhe ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet”, deklaroi ai.
Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit operacional, si element kyç për garantimin e sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Në fokus të takimit ishin sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë, lufta kundër krimit ndërkufitar, si dhe nevoja për rritjen e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit, hetimet dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta policore.
Takimi u përmbyll me angazhimin e të dy palëve për të thelluar më tej bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës në fusha me interes të përbashkët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



