E premte, 23 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sot dita e 100 e revoltës qytetare, paralajmërohet protestë masive
Lajme

Sot dita e 100 e revoltës qytetare, paralajmërohet protestë masive

Sot shënohen 100 ditë nga nisja e protestave kundër qeverisë, ndërsa Tirana pritet të jetë sërish në qendër të mobilizimit qytetar. Për ditën e 100-të të rezistencës është paralajmëruar një tubim i madh, ndërsa aktivistët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit që t’i bashkohen protestës.

Pas një periudhe prej 100 ditësh me protesta dhe marshime, organizatorët e kanë cilësuar këtë moment si një pikë të rëndësishme për vijimin e aksionit qytetar. Lëvizja, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, nisi më 31 maj dhe gjatë javëve në vijim mori përmasa përtej kauzës që e ndezi fillimisht.

Protesta e sotme zhvillohet pas tubimit të një dite më parë, ku qytetarët marshuan në kryeqytet dhe përsëritën kërkesat e tyre politike.

Në qendër të protestuesve vijojnë të jenë dy kërkesa kryesore: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.

Thirrje për pjesëmarrje masive dhe mosbindje civile

Për protestën e 100-të, aktivistët kanë kërkuar një pjesëmarrje sa më të gjerë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të udhëtojnë drejt Tiranës edhe nga qytete të tjera.

Aktivisti Ilir Xhemalaj ka kërkuar mobilizim masiv dhe ka deklaruar se aksioni qytetar duhet të vazhdojë përmes formave të mosbindjes civile.

Gjatë ditëve të fundit janë artikuluar edhe paralajmërime për një përshkallëzim të protestave. Aktivistët kanë përmendur mundësinë e bllokimit të institucioneve dhe rrugëve, si dhe forma të tjera të mosbindjes civile.

Si nisi “Revolucioni i Flamingove”?

Origjina e lëvizjes lidhet me kundërshtimin e projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, territor ku ndodhet edhe habitati i flamingove dhe i shumë specieve të tjera.

Në fazën e parë, protesta kishte karakter të theksuar mjedisor. Aktivistë dhe qytetarë kërkonin ndalimin e ndërhyrjes në zonën e mbrojtur dhe mbrojtjen e lagunës, ekosistemit dhe territorit.

Situata ndryshoi pas një përplasjeje mes protestuesve dhe rojeve private në zonën e Zvërnecit. Pamjet e incidentit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ndikuan në zgjerimin e reagimit qytetar.

Nga një protestë e përqendruar fillimisht në Vjosë-Nartë, lëvizja u zhvendos drejt Tiranës dhe nisi të merrte mbështetje edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Paralelisht, shqiptarë në diasporë organizuan tubime solidariteti në vende të ndryshme jashtë vendit.

Nga flamingot te kërkesat politike

Me kalimin e ditëve, objektivi i protestave u zgjerua ndjeshëm. Përtej kundërshtimit të projektit në Nartë, në tubime nisën të dominojnë edhe kërkesa politike dhe sociale.

Në protestat e para u shfaqën gjithnjë e më shumë slogane si “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Në të njëjtën kohë, protestuesit nisën të artikulojnë shqetësime për arsimin, punësimin, standardin e jetesës dhe emigrimin e të rinjve.

Lëvizja tërhoqi edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, veçanërisht për mënyrën se si një protestë e nisur për mbrojtjen e flamingove dhe zonës së mbrojtur u shndërrua gradualisht në një revoltë me kërkesa më të gjera politike, ekonomike dhe sociale.

Protesta e përditshme në Tiranë

Gjatë javëve të fundit, protesta është kthyer në një aktivitet të përditshëm në kryeqytet.

Qytetarët janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë vijuar marshimin drejt Kryeministrisë. Mbrëmjeve janë zhvilluar fjalime, ndërsa pankartat, flamujt dhe sloganet janë bërë pjesë e pandashme e tubimeve.

Me kalimin e kohës, në protestë janë shtuar edhe kërkesat për drejtësi dhe kundërshtimet ndaj korrupsionit, ndërsa një pjesë e thirrjeve i janë drejtuar edhe SPAK-ut.

Lëvizja është shoqëruar njëkohësisht me debate për rolin e opozitës dhe mungesën e një alternative të përbashkët politike.

“Revolucioni i Flamingove” përtej Tiranës

Mobilizimi nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet. Protesta dhe forma të tjera të reagimit qytetar janë shfaqur edhe në Vlorë, Durrës, Korçë dhe qytete të tjera të vendit.

Edhe diaspora shqiptare është përfshirë në këtë lëvizje përmes tubimeve të organizuara jashtë Shqipërisë, në shenjë mbështetjeje për protestuesit në vend.

Pas 100 ditësh, flamingoja tashmë është shndërruar në simbolin e një lëvizjeje që e ka tejkaluar kauzën fillestare mjedisore.

Nga kundërshtimi i një projekti në një zonë të mbrojtur, simboli i flamingos është lidhur tashmë me një valë pakënaqësie që përfshin çështje politike, ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Dita e 100-të pritet të tregojë edhe forcën e mobilizimit qytetar dhe nëse protestat do të vijojnë me të njëjtin intensitet apo do të hyjnë në një fazë të re të aksionit kundër qeverisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.