Sot dita e 127 e protestës, nuk ndalet revolta në rrugët e Tiranës
Protesta e përditshme kundër qeverisë vijon edhe sot në Tiranë, me qytetarë dhe aktivistë që mblidhen për tubimin e 127-të radhazi. Pas më shumë se katër muajsh protestash të njëpasnjëshme, organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni do të vijojë, ndërsa kërkesat politike mbeten të pandryshuara.
Tubimi i sotëm zhvillohet një ditë pas protestës së 126-të, e cila nisi në sheshin “Skënderbej” dhe vijoi me marshim në drejtim të bulevardit kryesor dhe disa prej rrugëve të Tiranës.
Gjatë marshimit të djeshëm, protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë dhe drejtimit politik të vendit, duke përsëritur thirrjet për ndryshim dhe largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Protesta vijoi përpara Kryeministrisë, ku disa prej pjesëmarrësve mbajtën fjalime dhe ngritën akuza ndaj drejtuesve të lartë të ekzekutivit. Një prej protestueseve kërkoi publikisht edhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e lidhur kërkesën me akuzat për korrupsion që janë artikuluar gjatë tubimeve.
Në fund të protestës së 126-të, organizatorët iu drejtuan qytetarëve me thirrjen për një pjesëmarrje më të gjerë në ditët në vijim, duke synuar vijimin e presionit publik ndaj qeverisë.
Kërkesat e protestuesve vijojnë të përqendrohen te dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ngritja e një qeverie teknike me mandat 12-mujor dhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja. Në platformën e tyre përfshihet gjithashtu kërkesa për ndryshime në sistemin politik dhe shfuqizimin e disa nismave ligjore që protestuesit i konsiderojnë të kontestuara.
Me tubimin e sotëm, protesta hyn në ditën e 127-të të mobilizimit të përditshëm në Tiranë, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend ta ndërpresin aksionin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



