Sot protesta e 34-t në Tiranë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Në orën 19:00 të mbrëmjes së sotme pritet të zhvillohet protesta e 34-t masive në kryeqytet, ku qytetarë nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe për të kërkuar ndryshime politike.
Organizatorët kanë bërë thirrje të hapur për pjesëmarrje të gjerë, duke ftuar jo vetëm qytetarët brenda vendit, por edhe shqiptarët që jetojnë jashtë, të bashkohen në këtë tubim në Tiranë. Sipas tyre, kjo protestë konsiderohet një moment i rëndësishëm në vazhdën e reagimeve qytetare.
Grumbullimi i protestuesve është planifikuar të nisë në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë këtij marshimi, pjesëmarrësit pritet të artikulojnë kërkesat e tyre kryesore përmes thirrjeve dhe mesazheve publike.
Në fokus të protestës mbetet kërkesa për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, një qëndrim që organizatorët e kanë cilësuar si të panegociueshëm. Ata kanë paralajmëruar se mobilizimi qytetar do të vazhdojë pa ndërprerje deri në arritjen e këtij objektivi.
Me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe simbolik, organizatorët kanë ftuar qytetarët të bëhen pjesë e protestës, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen e vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



