Sot protesta e 54-t në Tiranë, rritet presioni për largimin e qeverisë
Valë protestash kundër qeverisë vijon edhe këtë mbrëmje në kryeqytet, ku qytetarët pritet të mblidhen për herë të 54-t radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të menjëhershëm të qeverisjes.
Tubimi është parashikuar të nisë në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me një marshim drejt godinës së Kryeministrisë, duke ndjekur të njëjtin skenar si në ditët e mëparshme.
Organizatorët kanë përsëritur thirrjen për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke theksuar se protestat nuk do të ndalen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje konkrete.
Prej më shumë se shtatë javësh, qindra qytetarë janë angazhuar në protesta të përditshme në Tiranë, duke ngritur shqetësime të forta për një sërë politikash dhe vendimmarrjesh që, sipas tyre, cenojnë interesin publik.
Ndër çështjet kryesore që kanë nxitur reagimin qytetar përfshihen projekti i Zvërnecit, ligji për investitorët strategjikë, Paketa e Maleve, si dhe ndërhyrjet në zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, protestat janë shoqëruar me slogane kundër qeverisë dhe kritikë të ashpër ndaj klasës politike, ndërsa kërkesa kryesore mbetet një reformim i thellë politik dhe institucional në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



