E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sot u vra drejtësia në APEL!
Lajme

Sot u vra drejtësia në APEL!

 

 Naim Noka Publik.al | 6 Tetor 2025

Kur një armë ngrihet kundër një gjyqtari, nuk plagoset vetëm një njeri  plagoset drejtësia, kërcënohet çdo qytetar dhe shembet vetë themeli i shtetit ligjor.

Sot, më 6 Tetor 2025, në zemër të Tiranës, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është qëlluar për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja  një prej figurave më të njohura për integritetin dhe profesionalizmin në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Ky nuk është thjesht një krim. Është një atentat ndaj shtetit ligjor, ndaj çdo qytetari që ende beson se ligji mund të mbrojë të drejtën nga padrejtësia. Është një shuplakë për një vend që prej dhjetë vitesh dëgjon për “Reformën në Drejtësi”, por që sot po sheh rrënimin e drejtësisë nën plumbat e frikës.

Kjo eshte dita me e zeze e Drejtesise dhe pseudo Reformes se sistemit te gjyqesorit.

Kjo eshte fatura e pare me e rende qe eshte mare deri tani. Dhe pas kesaj ngjarje situata do vijoje te jete edhe me e rende, traumatike, psikologjike per kedo qe asiston ne sistemin e drejtesise.

I gjithe sistemi i drejtësisë është  në kolaps dhe qindra mijë dosje flenë vetëm pak metra ku u qëllua gjyqtari Astrit Kalaja.

Ky vend është pa shpresë për qytetarët pikërisht nga pirgu i dosjeve faktike prej dy dekadave dhe nuk zgjidhet me  deklaratat e nderkombetareve apo  turfullimat politike, se sistemi eshte i mrekullueshem apo me nofka Altin Dumani (Troplini).

Kjo reforme që vrau shpresën e mijëra qytetarëve, sot vrau dhe gjyqtarin Kalaja.

Për vite, Edi Rama ka ecur mbi drejtësinë si mbi një skenë personale: ka ndarë role, ka shpallur fajtorë dhe ka falur “të vetët”, duke e trajtuar sistemin si pjesë të spektaklit të tij politik.

Por kur politika e kthen drejtësinë në dekor, skena përfundon në tragjedi.

Reforma e drejtësisë, e shpallur si “shekullore”, është shndërruar në një instrument frike, ku gjyqtarët e ndershëm nuk ndihen më të mbrojtur, dhe të korruptuarit ndihen të paprekshëm.

Sot, arma që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja është hija më e errët e kësaj reforme  një reforme që prodhoi nënshtrim në vend të guximit, frikë në vend të drejtësisë, dhe heshtje në vend të ligjit.

Një vend ku gjyqtari vritet në zyrën e tij, është një vend ku qytetari është i pambrojtur.

Sepse kur bien themelet e gjykatës, rrëzohet çdo shpresë për mbrojtjen e ligjit.

Nëse gjyqtarët ndihen të kërcënuar, si mund të presë drejtësi një qytetar që përballet çdo ditë me padrejtësi, korrupsion e abuzim pushteti?

Kjo nuk është më çështje sigurie  është çështje ekzistence.

Reforma e vërtetë fillon kur ndalet hipokrizia

Nuk ka reformë drejtësie pa pavarësi.

Nuk ka pavarësi pa siguri.

Dhe nuk ka siguri në një vend ku kryeministri vetë ushtron presion politik, propagandë dhe intimidim mbi gjyqtarët e prokurorët që nuk i shërbejnë pushtetit.

Drejtësia nuk vritet vetëm me armë,  ajo vritet përditë me telefonata, me shantazhe, me ndërhyrje politike dhe me duartrokitje të servilëve.

Nëse sot nuk vendoset një vijë ndarjeje mes shtetit dhe pushtetit, mes drejtësisë dhe qeverisë, nesër çdo zyrë gjykate do të jetë një arenë frike.

Astrit Kalaja ra si viktimë e një sistemi që nuk di të mbrojë më ata që mbrojnë ligjin.

Ai u vra në emër të frikës, por kujtimi i tij duhet të ngrihet në emër të guximit.

Nëse sot heshtim, nesër askush nuk do të ketë më guximin të flasë.

Sot u vra drejtësia  por nesër ajo do të varroset përfundimisht nëse ky vend vazhdon të qeveriset me frikë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.