Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Prokuroria mbyll hetimet
I komunikon Elvis Shkambit akuzën e re
Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar sot Elvis Shkambit akuzën për “vrasje të funksionarëve publikë për shkak të detyrës”, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Sipas gazetares Anila Hoxha, mbyllja e hetimeve për ngjarjen i është komunikuar sot Shkambit, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, akuza ndaj Gjon Shkambit, xhaxhait të Elvis Shkambit, pritet të komunikohet ditën e hënë.
Elvis Shkambi përballet gjithashtu me akuzën për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë, lidhur me plagosjen e dy personave, babë e bir, të cilët ishin palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
Në fazat e mëparshme të procedimit, ndaj tij është hetuar edhe akuza për armëmbajtje pa leje.
Sa i përket Gjon Shkambit, ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për planet e nipit të tij dhe se nuk ka pasur dijeni se Elvisi do të ndërmerrte një veprim të tillë. Ky qëndrim është bërë i ditur edhe më herët nga mbrojtja e tij, ndërsa Prokuroria ka ngritur dyshime për rolin që ai mund të ketë pasur në ngjarje.
Çfarë ndodhi me gjyqtarin Astrit Kalaja?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor 2025, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Gjatë një seance gjyqësore, Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja, si dhe drejt dy personave të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë në proces.
Kalaja humbi jetën, ndërsa dy personat e tjerë mbetën të plagosur.
Sipas hetimeve të bëra publike nga Prokuroria, të shtënat ndodhën pasi gjyqtari Kalaja kishte lexuar vendimin në një çështje pronësie ku palë ishin familja Shkambi dhe familja Kurtaj.
Prokuroria ka deklaruar gjithashtu se ka hetuar edhe rolin që mund të kishte pasur Gjon Shkambi në nxitjen e veprimeve ndaj palës kundërshtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



