E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK kontrolle në vilat e Ergys Agasit dhe vilën e Ermal Beqirit
Lajme

SPAK kontrolle në vilat e Ergys Agasit dhe vilën e Ermal Beqirit

SPAK ka zhvilluar kontrolle në një kompleks luksoz në jug të vendit, në kuadër të një hetimi të gjerë për abuzime me tendera publikë. Burime bëjnë me dije se veprimet janë kryer në dy vila të Ergys Agasi dhe në një vilë të Ermal Beqiri.

Kontrollet janë realizuar me vendim të GJKKO, ndërsa hetuesit e BKH kanë sekuestruar materiale dhe pajisje që pritet të shërbejnë si prova në hetim.

Prokuroria e Posaçme prej afro një viti po heton 12 procedura tenderuese të AKSHI, të cilat dyshohet se janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin. Në qendër të hetimeve janë dyshime për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Mes personave nën hetim janë edhe ish-drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, si dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi. Ndaj Karçanajt është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, për shkak të dyshimeve mbi rolin e saj në procedurat e kontestuara.

Sipas hetimeve, tenderat dyshohet se janë paracaktuar, me vlera të larta që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve shtetërore. Dyshohet se kriteret janë hartuar në mënyrë të tillë që favorizonin kompani të caktuara, duke siguruar përfitime të mëdha financiare.

Në hetim është edhe Ermal Beqiri, pronar i kompanisë Soft & Solution, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest me burg”. Sipas SPAK, ai dyshohet të ketë përfituar shuma të konsiderueshme nga këto procedura.

Po ashtu, masa “arrest me burg” është dhënë edhe për Ergys Agasi, i cili rezulton në arrati.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin rolin e plotë të personave të përfshirë dhe skemën e dyshuar të abuzimit me fondet publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.