E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK merr të pandehur ish-kryebashkiakun e Memaliajt
Lajme

SPAK merr të pandehur ish-kryebashkiakun e Memaliajt

Ish-kryetari i Bashkisë së Memaliajt, Gjolek Guci, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.

Së bashku me të, nën akuzë janë vendosur edhe Edmonda Harizi, Bersant Ylli dhe Feta Hoxha, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në të njëjtën procedurë prokurimi të kundërligjshme.

Sipas hetimeve të SPAK, shkeljet lidhen me një procedurë prokurimi për ndërtimin e ujësjellësit rajonal që do të furnizonte me ujë tetë fshatra dhe qytetin e Memaliajt. Projekti, me një fond mbi 493 milionë lekë, ka qenë objekt i kallëzimit penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i depozituar në tetor të vitit 2024.

Nga verifikimet e kryera, organi i akuzës ka konstatuar se gjatë procedurës së tenderimit janë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë të caktuar ekonomikë. Sipas SPAK, është kualifikuar dhe shpallur fitues një bashkim operatorësh që paraqiste mangësi në dokumentacion, veçanërisht në kapacitetin teknik.

Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se është lejuar nënkontraktimi i një shoqërie që ndodhej në konflikt interesi, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike të tij, duke mos përmbushur kriteret ligjore për të qenë nënkontraktore.

Prokuroria bën me dije se procedimi penal është regjistruar më 4 nëntor 2024, ndërsa më 28 janar 2026 është vendosur ndarja e tij për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës së projektit të ujësjellësit.

Gjolek Guci ka drejtuar Bashkinë e Memaliajt për disa mandate, deri në zgjedhjet e fundit vendore, kur u zëvendësua pas fitores së kandidatit opozitar Albert Malaj.

SPAK thekson se hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa çdo person i përfshirë prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.