SPAK zbarkon në banesën e biznesmenit të farmacisë
Dyshime për lidhje me Manastirliun
Një biznesmen, i cili kontrollon një nga depot farmaceutike më të njohura në Shqipëri, është vënë në qendër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas burimeve për mediat, rreth tre javë më parë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontroll në banesën e biznesmenit. Operacioni është zhvilluar në mënyrë diskrete dhe deri tani nuk është bërë publik nga institucionet ligjzbatuese.
Gjatë kontrollit, hetuesit dyshohet se kanë sekuestruar dokumente dhe materiale të ndryshme, të cilat po analizohen në kuadër të procedimit penal.
Burimet bëjnë me dije se një pjesë e dokumentacionit të administruar mund të ndihmojë në verifikimin e marrëdhënieve të biznesmenit me persona që lidhen me ish-ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Sipas të njëjtave burime, hetimi është shtrirë edhe ndaj një familjari të afërt të ish-ministres, i cili dyshohet se ka kryer transaksione financiare dhe aktivitete ekonomike me biznesmenin që zotëron depon farmaceutike.
Hetuesit po verifikojnë nëse këto marrëdhënie kanë qenë të ligjshme apo nëse ato lidhen me favorizime të mundshme të kompanisë farmaceutike nga institucione shtetërore.
Në fokus të verifikimeve janë vendosur disa çështje, mes tyre përfshirja ose zgjerimi i barnave të tregtuara nga kjo kompani në listën e barnave të rimbursueshme, si edhe procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë.
Po ashtu, SPAK po shqyrton edhe disa tenderë që dyshohet se janë zhvilluar me procedura të kufizuara ose me mungesë transparence, për të verifikuar nëse kompania farmaceutike ka përfituar trajtim preferencial.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, SPAK nuk ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me kontrollin e ushtruar, identitetin e personave nën hetim apo veprat penale për të cilat është regjistruar procedimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



