E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Spiropali bllokohet nga Garda, tentoi të futet nga hyrja e pasme e Kuvendit
Lajme

Spiropali bllokohet nga Garda, tentoi të futet nga hyrja e pasme e Kuvendit

Një episod i pazakontë është regjistruar në hyrje të Kuvendit, ku Elisa Spiropali ka tentuar të shmangë vëmendjen e mediave që e prisnin në hyrjen kryesore.

Sipas burimeve, ajo ka provuar të futet nga hyrja e pasme, por është ndalur nga efektivët e Gardës, duke e detyruar të rikthehet. Ky moment vjen në një klimë të tensionuar politike, pas përplasjeve të fundit me Edi Rama.

Situata duket se lidhet drejtpërdrejt me debatet e zhvilluara disa ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku Spiropali është përfshirë në një përplasje verbale, jo vetëm me kryeministrin, por edhe me Eriona Ismaili.

Pas këtyre zhvillimeve, Spiropali ka reaguar në mënyrë indirekte në rrjetet sociale. Ajo publikoi një foto me syze dielli, të shoqëruar me mesazhin: “Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”, duke shmangur çdo koment të drejtpërdrejtë mbi situatën.

Brenda takimit me dyer të mbyllura, tensionet kanë shpërthyer në momentin kur Ismaili mori fjalën për strategjinë e komunikimit. Një reagim i Spiropalit – që nuk dihet saktësisht në çfarë forme – ka nxitur ndërhyrjen e menjëhershme të ministres.

“Ka ndonjë gjë për të qeshur këtu?”, mësohet të ketë thënë Ismaili, ndërsa situata u përshkallëzua më tej me ndërhyrjen e Ramës, i cili i kërkoi Spiropalit të mos ndërpriste.

Kryeministri theksoi rëndësinë e seriozitetit në komunikim, duke bërë edhe një krahasim me të shkuarën:
“Gjërat duhen marrë me përgjegjësi dhe komunikimi ka po ashtu rëndësi dhe nuk është gjë për t’u marrë me të qeshur. Kështu e morën me të qeshur para 12 vitesh disa, edhe kur fliste Endri Fuga, por disa prej tyre nuk janë këtu.”

Në kulmin e debatit, Rama ka ashpërsuar tonin ndaj Spiropalit me një paralajmërim të drejtpërdrejtë:
“Mos më detyro të vij vetë aty të të nxjerr jashtë.”

Ky episod vjen në vijim të përplasjeve të fundit brenda mazhorancës, përfshirë edhe reagimet publike të Spiropalit ndaj Taulant Balla, lidhur me mungesën e saj në një seancë parlamentare ku diskutohej çështja e imunitetit të Belinda Balluku.

Ngjarjet e fundit duket se sinjalizojnë tensione të brendshme në radhët e Partisë Socialiste, të cilat po dalin gjithnjë e më shumë në sipërfaqe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.