“Mamicës” nuk i mban më gjë “barku”: Më spiunonin edhe në kafet që dilja!
Elisa Spiropali ka bërë akuza të forta ndaj mënyrës se si funksionojnë mekanizmat e pushtetit, duke pretenduar se gjatë muajve të fundit është mbajtur nën vëzhgim në lëvizjet e saj të përditshme, deri edhe në lokalet ku takohej për kafe. E përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ish-kryetarja e Kuvendit ka folur për atë që e konsideron përdorim të institucioneve shtetërore kundër individëve që shprehin qëndrime ndryshe nga linja e mazhorancës.
E ftuar në emisionin “Opinion”, Spiropali deklaroi se ka përjetuar nga afër një situatë presioni dhe survejimi, ndërsa pretendoi se edhe kolegë të saj deputetë janë të frikësuar për kontaktet dhe lëvizjet që bëjnë jashtë institucioneve.
Ajo e përshkroi këtë periudhë si një lloj eksperimenti social dhe psikologjik, përmes të cilit, sipas saj, ka kuptuar se si mekanizmat e shtetit mund të përdoren për të monitoruar individë për shkak të qëndrimeve të tyre politike.
“Në këto muaj të ‘puçit’, unë kam ndierë dhe kam përjetuar dhe kam bërë një eksperiment social psikologjik. Mekanizmat e shtetit përdoren kundër individit. Duke u nisur nga fati që sapo dal nga shtëpia, më monitoronin edhe kafet ku dilja. Të gjitha do të dalin. Është dramatike, por jo serioze. Vetëm për shkak të qëndrimeve të mia, që kanë qenë të hapura, edhe kafet ishin të monitoruara. Deputetë të trembur nga vetja dhe njëri-tjetri. Unë jam ish-kryetare e Kuvendit dhe përdoren këto mekanizma kundër meje”, deklaroi Spiropali.
Spiropali: Ka deputetë që kanë frikë të dalin nga shtëpia
Në vijim të rrëfimit të saj, deputetja socialiste pretendoi se monitorimi nuk ka qenë i kufizuar vetëm te personi i saj. Sipas saj, klima e krijuar brenda mazhorancës ka bërë që disa deputetë të druhen edhe nga takimet informale, pasi shqetësohen se me kë shihen dhe ku konsumojnë kafen.
Spiropali përmendi gjithashtu raste kur, sipas saj, edhe përfaqësues të faktorit ndërkombëtar janë përballur me presion publik për shkak të takimeve që kanë zhvilluar, ndërsa fotografitë e këtyre takimeve janë bërë publike.
“Ka pasur raste kur ndërkombëtarë janë vënë në presion publik për takimet. Janë nxjerrë foto të takimeve. Të gjitha institucionet ligjzbatuese më monitoronin. Ky është një lloj ‘playbook’ i vjetër, që duhej ta kishim tejkaluar. Këtë dua të nxjerr në pah. Në vend që ne t’u japim shpresë të rinjve që dalin në protestë dhe të flasim se çfarë do të bëjmë me këtë brez, ne zgjedhim të bëjmë akte normative për gjoba. Ka deputetë që kanë frikë të dalin nga shtëpia, me kë konsumojnë kafen”, u shpreh ajo.
Këto deklarata vijnë në një moment përplasjesh politike brenda Partisë Socialiste, ku Spiropali është pozicionuar hapur kundër disa zhvillimeve të fundit në drejtimin e partisë dhe qeverisjen e Edi Ramës. Pretendimet e saj për survejim dhe përdorim të institucioneve shtetërore për qëllime politike përbëjnë akuza serioze, për të cilat në deklaratën e saj nuk u paraqitën prova konkrete.
Paralajmërimi për Ramën: Po rrezikon të fshijë nga historia emrin dhe veprat e tij
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe kryeministrit Edi Rama. Spiropali shprehu shqetësimin se mënyra se si po qeveris dhe po menaxhon zhvillimet politike mund të dëmtojë jo vetëm imazhin e tij aktual, por edhe trashëgiminë që ka ndërtuar gjatë viteve në krye të Partisë Socialiste dhe qeverisë.
Sipas saj, Rama erdhi në drejtimin e PS-së me mesazhe për rininë, progresin dhe integrimin europian, por sot rrezikon që gjithë atë histori politike ta vërë në pikëpyetje përmes mënyrës se si po sillet me kundërshtitë dhe kritikat brenda kampit të tij.
“Na ka zët dhe na ka përzënë. Njeriu Edi Rama që erdhi në krye të PS-së me flamurin e të rinjve, progresit dhe Europës, që i fliste këtij brezi që donte ndryshim. Edi Rama rrezikon që emrin e tij, veprat e tij, punën që ka bërë, reputacionin e tij, qeverisjen e tij ta fshijë historia, është e papranueshme”, deklaroi ajo.
Spiropali ngriti gjithashtu çështjen e largimit nga drejtimi politik, duke kundërshtuar idenë se dorëheqja duhet konsideruar një mundësi e papranueshme apo një tabu për drejtuesit e partive.
Në këtë kontekst, ajo solli në vëmendje edhe debatin për të ardhmen politike të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, duke kritikuar faktin se në të dy krahët e politikës shqiptare, sipas saj, largimi i liderëve nga drejtimi nuk shihet si një alternativë normale politike.
“Çfarë tabuje është të ikësh?! E kanë bërë si të jetë gjëja më e vështirë në botë, çfarë janë këta, bajlozë? Nga opozita po flitet se ikja e Berishës do të ishte fatalitet për demokracinë. Edhe në anën e pushtetit, zgjidhjet politike as nuk konsiderohen. Le të dalin skandalet, të njëjtat emra do të rrinë”, u shpreh ish-kryetarja e Kuvendit.
Dorëheqja, zgjedhjet e parakohshme dhe dialogu me opozitën si zgjidhje politike
Në vijim, Spiropali theksoi se dorëheqja nuk është domosdoshmërisht një akt dobësie, por një instrument politik që mund të përdoret në situata kur qeverisja përballet me kriza dhe humbet besimin.
Ajo përmendi disa alternativa që, sipas saj, duhet të jenë pjesë e debatit politik, mes tyre dorëheqjen, zgjedhjet e parakohshme dhe uljen në tryezë me opozitën.
Duke iu referuar zhvillimeve në vend, Spiropali paralajmëroi për rrezikun e përqendrimit të pushtetit dhe dobësimit të standardeve demokratike. Sipas saj, Shqipëria po largohet nga modeli i demokracive perëndimore dhe po hyn në një logjikë që ajo e cilësoi si autokratike.
“Dorëheqja është zgjidhje politike, nuk jam ajo që i përcakton këto. Unë kam bërë thirrje për zgjidhjet politike. Autokracitë përforcohen, demokracitë konsumohen. Ne po hyjmë në logjikën e autokracisë, ky është problemi im”, deklaroi ajo.
Ish-kryetarja e Kuvendit nënvizoi se integrimi në Bashkimin Europian duhet të mbetet orientimi kryesor strategjik i Shqipërisë, por paralajmëroi se ky proces nuk mund të trajtohet si një fasadë politike, ku standardet europiane zbatohen në deklarata dhe anashkalohen në praktikë.
“Ne do të shkonim në modelin e demokracive perëndimore. E vetmja zgjidhje dhe zgjedhje e Shqipërisë është integrimi në BE, por nuk është pasqyrë, një fytyrë për ne dhe një për Evropën. Nuk është të tallesh me standardet dhe proceset politike. Nga zgjedhjet e parakohshme, ulja me opozitën, dorëheqja, janë zgjidhje politike. Unë shoh një proces që është edhe më problematik. Unë shoh rrugën që kemi nisur, edhe nga eksperienca ime personale”, përfundoi Spiropali.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



