Studentët e Politeknikut braktisin mësimin dhe dalin në protestë
Protestës kombëtare kundër qeverisë Rama pritet t’i bashkohen edhe studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës. Studentë të këtij institucioni kanë lënë auditorët dhe janë bërë gati të marrin pjesë në tubimin e paralajmëruar për këtë të mërkurë, duke iu bashkuar thirrjes për protestë kundër qeverisë.
Protesta është njoftuar të nisë në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ku pritet të mblidhen studentë dhe qytetarë nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.
Pas grumbullimit para institucionit të Ministrisë së Arsimit, protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të vijojë tubimi dhe kundërshtimi ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Braktisja e auditorëve nga studentët e Politeknikut shënon një tjetër sinjal të përfshirjes së universiteteve në lëvizjen kundër qeverisë, në një kohë kur thirrjet për mobilizim qytetar po shtrihen edhe jashtë kryeqytetit.
Pjesëmarrja e studentëve pritet t’i japë një tjetër dimension protestës së sotme, e cila synon të mbledhë në një tubim të përbashkët qytetarë dhe të rinj që kundërshtojnë politikat e qeverisë Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



