Detaje të reja akanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në “Ditën e të Dashuruarve” në Sauk të Tiranës, në hotelin “Gjuta”, ku 18-vjeçarja Natali Murati u plagos me armën e të dashurit të saj, Erisjaldo Gjuta. Në një telefonatë për emisionin “Me zemër të hapur”, avokati dhe njëkohësisht familjar i familjes Gjuta, Naim Gjuta, deklaroi se dy të rinjtë ishin njohur pak ditë para 14 shkurtit në Qytet Studenti dhe kishin krijuar afrimitet, duke pirë disa herë kafe së bashku.
Sipas tij, vajza dyshohet se i kishte dhënë informacione të pasakta 22-vjeçarit lidhur me moshën dhe prejardhjen. Avokati pretendon se ajo ishte prezantuar si 22 vjeçe dhe me origjinë nga Shkodra, ndërkohë që rezulton 18 vjeçe dhe nga një fshat i Kukësit.
Ai shtoi gjithashtu se familjarët e djalit ndodheshin një kat më sipër në momentin e ngjarjes, dëgjuan zhurmën dhe fillimisht tentuan t’i japin ndihmën e parë të resë, para se ta transportonin me taksi drejt spitalit, pasi konstatuan se ishte plagosur në shpatull, pranë gjoksit.
Në deklaratën e tij, avokati ngriti edhe dyshime të tjera, duke thënë se ka dëgjuar se vajza mund të jetë e fejuar dhe se i fejuari i saj dyshohet të jetë efektiv policie. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet.
Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e plagosjes, ndërsa deri më tani nuk ka një version zyrtar për motivin dhe dinamikën e ngjarjes.







