Studiuesja Jonila Godole: Është thjesht një çmim. Figura e Handke më shumë me hije se me dritë, por…
Studiuesja Jonila Godole, ndërsa ka komentuar marrjen e çmimit Nobel për Letërsinë nga ana e autorit austriak Peter Handke, tha se ai është thjesht një çmim dhe se nuk duhet t’i jepet kaq rëndësi.
E ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, Godole argumentoi se çmimin Nobel nuk e kanë marrë, sipas saj, një listë autorësh, për të cilët tha se në thelb janë letërsia vetë.
Duke u ndalur tek figura e Handke, Godole u shpreh se ai ka një sërë veprash cilësore, por se do të mbetet e pakuptueshme lidhja e tij me Serbinë.
“Gjithçka që ndodhi dhe pse u bë ky skandal ishte çmimi Nobel. Po nuk duhet ta ekzagjerojmë, ai është dhënë personave që e kanë merituar dhe ata që nuk e kanë merituar, e kanë marrë persona që kanë qenë në modë në atë kohë dhe më vonë nuk kanë qenë më. Ky është thjeshtë një çmim, kur çmimin Nobel nuk e ka marrë një listë autorësh që janë në thelb ata letërsia vetë, nuk do t’i jepja kaq shumë rëndësi një çmimi. Atij si person, do të thosha, kush jemi ne që gjykojmë të tjerët”?
Ai ka shkruar pa fund dhe për aq sa e njoh veprën e tij, mendoj që janë shumë cilësore dhe nëse nuk e do e kishte pasur këtë rrëshqitje të pafalshme, ai do ta kishte marrë këtë çmim shumë më përpara. Pse e ka bërë ai këtë? Njeriu është një qenie e çuditshme, ndodh të futesh në skuta të errëta, me të ka ndodhur diçka në prishjen e ish-Jugosllavisë. Pse ai ka qenë kaq shumë i lidhur me Serbinë, kjo është një gjë që do të na mbetet e pakuptueshme. Ai do të ngeli një figurë më shumë me hije se me dritë, por mendoj se duhet të jemi të hapur dhe ta lexojmë atë që ka shkuar dhe secili le të mbajë atë qëndrimin e tij”, tha Godole.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



