Sulmi rus në Rumani, a do të aktivizohet Neni 5 i NATO-s?
NATO dhe Bashkimi Europian kanë dënuar fuqishëm sulmin me dron të ndërmarrë nga Rusia ndaj një godine banimi në Rumani, një incident që ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në rajon dhe përshkallëzimin e konfliktit.
Në një deklaratë zyrtare, një zëdhënës i Aleancës Atlantike theksoi se NATO mbetet e vendosur të rrisë kapacitetet mbrojtëse përballë çdo kërcënimi, duke përfshirë edhe përdorimin e dronëve në sulme ndaj objektivave civile.
Nga ana tjetër, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë akt si një tjetër kapërcim të vijave të kuqe nga ana e Rusisë në kuadër të agresionit të saj të vazhdueshëm. Ajo nënvizoi se sulmi ka shkaktuar të plagosur mes civilëve dhe shprehu solidaritet të plotë me Rumaninë dhe qytetarët e saj.
Von der Leyen bëri të ditur gjithashtu se Bashkimi Europian do të intensifikojë masat e sigurisë, veçanërisht në kufirin lindor, ndërsa paralajmëroi përgatitjen e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë, që pritet të jetë e 21-ta me radhë.
Edhe ministri francez për çështjet europiane, Benjamin Haddad, e cilësoi Rusinë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e kontinentit, duke theksuar praninë e trupave franceze në Rumani në kuadër të misioneve të NATO-s për garantimin e stabilitetit në rajon.
Çfarë nënkupton Neni 5 i NATO-s?
Rumania, si vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Europian, mbrohet nga parimi i mbrojtjes kolektive. Sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, çdo sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithë aleancës.
Megjithatë, aktivizimi i këtij neni nuk nënkupton automatikisht ndërhyrje ushtarake. Çdo shtet anëtar vendos në mënyrë sovrane për formën e ndihmës që do të ofrojë, e cila mund të variojë nga mbështetje logjistike deri te veprime ushtarake.
Historikisht, Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një moment kyç në funksionimin e aleancës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



