Tak Cara mbajti peng dhe dhunoi punonjësen e OSHEE-së në lokalin e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, pranë konvikteve në Tiranë, ku një grua, punonjëse e OSHE-së, është mbajtur peng gjatë gjithë natës në një lokal bar-kafe bilardo, të një personi me probleme të shëndetit mendor, të identifikuar si Spartak Cara.

Sipas dëshmive, gruaja është dhunuar si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht, dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë nga komuniteti dhe kolegët e saj, të cilët janë mbledhur sot në protestë, duke kërkuar drejtësi dhe dënimin e autorit.

Protestuesit, mes të cilëve shumë punonjës të OSHE-së, shprehen të indinjuar që një person me histori të mëparshme në institucione të shëndetit mendor vijon të jetojë i lirë dhe të ushtrojë aktivitet biznesi. Ata i bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse, përfshirë institucionet e rendit dhe spitalin psikiatrik, të ndërhyjnë me urgjencë dhe të marrin masa konkrete për këtë rast.

Përfaqësues të OSHE-së kanë konfirmuar se do ta denoncojnë ngjarjen zyrtarisht dhe do të ndjekin çdo hap ligjor për të siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe që dhunuesi të përballet me pasojat që meriton.

Publikuar nga Publik Media