Taulant Balla tallet keq me opozitën: Ju ka lënë Luli pa shkollë!
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se mazhoranca do të presë deri në orët e mbrëmjes për një qëndrim përfundimtar nga opozita lidhur me pjesëmarrjen në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Balla akuzoi opozitën për mungesë koherence dhe paqartësi në vendimmarrje, duke theksuar se brenda pak orësh ka ndryshuar qëndrimin për bojkotin e punimeve të komisionit. Sipas tij, një ditë më parë opozita njoftoi publikisht tërheqjen nga bojkoti, ndërsa mëngjesin e sotëm sinjalet ishin të kundërta, gjë që u reflektua edhe në deklaratat e përfaqësuesve të saj në Kuvend.
Ai ironizoi situatën duke thënë se qëndrimet e opozitës ndryshojnë nga mbrëmja në mëngjes dhe se mungesa e unitetit brenda saj e bën të pamundur një proces normal pune parlamentare. Balla shtoi se opozita duhet të japë një përgjigje të qartë deri në mbrëmje, përpara se të hidhet në votim pika përkatëse e rendit të ditës.
Sipas kreut të grupit socialist, nëse opozita konfirmon pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e komisionit, procesi do të vijojë normalisht, ndërsa mungesa e saj do të jetë një tjetër tregues i krizës së thellë politike dhe organizative që po përjeton.
“Ç’thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Doli dje ky zotëria, që as nuk kuptohej pyeta Chat GPT, dhe tha u tërhoqëm nga bojkoti. Këtë haber na sollët dje. Sot jeni tërhequr.
Jeni aq kakofonikë sa për një çështje çoheni dy vetë. Jeni shpartalluar fare. Zonja dhe zotërinj të PD ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit? Këtë e keni deri në darkë, kur vjen votimi për pikën 12. Nëse na thoni do të vijmë në mbledhje, ok, nuk bëhet mbledhja me 8 se është gjysma e 16 por juve ju la pa shkollë Luli.
Nëse keni ndërmend të vini na e thoni”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



