E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Të blesh belanë me paratë e taksapaguesve!
OP-ED

Të blesh belanë me paratë e taksapaguesve!

 

Bledar Zaganjori

Me 400 milionë lekë, ose 4.255.310 euro me kursin aktual, Edi Rama ka bërë atë për të cilën do të paguante dyfishin që të mos e bënte. Ndoshta e ka shpëtuar vërtet Shqipërinë nga ndonjë turpërim global (edhe pse dyshoj për këtë), por ka dëmtuar edhe më tej imazhin e tij ndërkombëtar, tashmë të plagosur gjatë muajit të fundit nga protestat, ku shkëlqimi i ndërtuar me shumë kujdes, shumë mundim, shumë punë, shumë para, shumë lobim dhe shumë kohë, si politikan artist, kozmopolit e progresist, është zëvendësuar me shpejtësi rrufeje nga ai i një politikani me prirje autoritariste dhe problematik në qeverisje.

Nuk ka mbetur media e madhe e huaj – amerikane, britanike, franceze, gjermane, italiane apo holandeze – pa shkruar për financimin e koncertit të një reperi kontrovers, të njohur për bindjet e tij fashiste dhe antisemite, duke e lidhur fondin prej 400 milionë lekësh të aktit normativ me protestat 40-ditore kundër projektit të Zvërnecit, flamingove, korrupsionit, arrogancës dhe problemeve me demokracinë në vend.

Nëse do të kishte një mënyrë për ta rigjallëruar protestën në arenën ndërkombëtare dhe për të shtuar dëmin në imazh më shumë sesa vetë protesta, vështirë se do të gjendej një mënyrë më e mirë se 400 milionë lekët për biletat e pashitura të një koncerti që, edhe pa to, ishte rrethuar nga polemika të shumta.

Duket sikur Edi Rama ka humbur prekjen jo vetëm me realitetin shqiptar, por edhe sharmin në mediat ndërkombëtare, ku dikur ishte një yll i padiskutueshëm. Nëse në pesë artikujt e fundit për Shqipërinë, The New York Times, Le Monde apo edhe The Guardian (bibla dhe kurani i progresistëve) flasin për ty në mënyrë negative, të përmendin defektet dhe gabimet, atëherë ekziston një problem shumë i madh, që nuk lidhet aq shumë as me luftën ndaj Trumpit dhe as me ndikimin e botëve apo shërbimeve.

Sado të mundohen Gonxhja me Taulantin, problemi në këtë rast nuk janë më flamingot e bulevardit. Është me skifterët në Perëndim.

Këtu merr kuptim shprehja: “Ta blesh belanë me paratë e tua.” Në këtë rast, me paratë e taksapaguesve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.