O mbret , situata politike “non è buona”!
Naim Noka
Ekonomia “bernut”! Ti po merresh me propagandën dhe fiqtë e Arjan Konomit në Vuno, shqiptarët me mbijetesën.
Nëse është e vërtetë se në mbledhjen e gjatë të kësaj të diele diskutimi kryesor është përqendruar te komunikimi, propaganda dhe mekanizmat për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se Edi Rama duhet të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, atëherë qeverisja nuk po kërkon më zgjidhje për problemet, por mënyra për të administruar perceptimin e qytetarëve, pasi po mbushen 3 muaj protestë e pandërprerë e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen.
Shqipëria sot e ka kaluar krizën e trushpëlarjes nga mediat e blera. Troç: mbretëria jote është në krizë reale.
Qytetarët, në shumicë, llogarisin çdo produkt në supermarketet e oligarkëve. Edhe pensionistët nuk po e hanë më propagandën, sepse nuk kanë lekë as për kripë. Shumë të rinj vazhdojnë ta shohin emigracionin si alternativën më të sigurt për jetën e tyre. Ke një sistem shëndetësor që prodhon ankesa të përditshme. Arsimi po humbet nxënës e studentë bashkë me shpopullimin. Zona të tëra po përballen me zjarre dhe një kriminalitet që shfaqet gjithnjë e më agresiv në hapësirën publike. Paratë e krimit dhe drogës po mbarojnë. Brenda radhëve të mbretërisë rilindase ka pakënaqësi të mëdha. Grupi i G-së dhe i S-së janë të pakënaqur me grupin e B-së. Edhe kanalizimi i tenderave nuk po bën më fajde. Projekte prej 13 vitesh të lëna rrugëve. Të burgosurit e korrupsionit po dalin një e nga një. Pritet të dalë edhe Lali.
Për këto do të duhej të mblidhej gjithë ditën qeveria.
Të pyeste të paktën edhe Zegjinenë dhe Sarën se pse largohen shqiptarët.
Pse ekonomia e familjes së xha Reshatit nuk ecën me të njëjtin ritëm me statistikat triumfaliste të qeverisë.
Të pyeste pse pensionet vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme, pse shëndetësia vazhdon të perceptohet si problem, pse kriminaliteti po fiton terren dhe pse qytetari ndjen gjithnjë e më pak siguri ekonomike e sociale.
Por halli i vetëm për ty, o mbret, është si të ndryshosh mënyrën se si qytetarët e shohin realitetin nën qeverisjen tënde prej vitesh.
Propaganda është motori dhe kredoja e qeverisjes tënde.
Në vend të zhvillimit ekonomik, Rilindja ka superprodhim narrative.
Shëndetësia çalë-çalë mbulohet me video.
Ndërsa vendi shpopullohet, Rilindja prodhon statistika optimiste.
Tani që qytetarët po protestojnë, problemi më i madh konsiderohet fakti që qeveria nuk ka komunikuar mjaftueshëm mirë me protestuesit. Mbreti e di se tashmë është e pamundur që realiteti ku ndodhet Shqipëria të mund të zëvendësohet me perceptimin.
Pas kaq shumë vitesh qeverisjeje, Edi Rama nuk mund të sillet më si opozitar i problemeve të Shqipërisë. Ekonomia, administrata, shëndetësia, arsimi, infrastruktura, siguria publike dhe politikat sociale mbajnë vulën e qeverisjes së tij.
Tani nuk ia mban as të fshihet pas fajeve të Berishës.
Nuk ka më periudhë prove.
Nuk ka më justifikimin se “duhet kohë”.
Koha jote, o mbret, ka kaluar.
Prandaj, çdo mbledhje ku strategjia e imazhit zë më shumë vend sesa strategjia e qeverisjes duhet jo vetëm t’i shqetësojë qytetarët, por t’i tmerrojë. Ti do të mund të vegjetosh në agoni, duke numëruar ditët si kryeministër, por situata politike, për ta thënë me gjuhën e famshme, “non è buona”.
Ndërsa situata ekonomike për shumë familje shqiptare është edhe më e thjeshtë për t’u përkufizuar: “bernut”.
Dhe as propaganda më profesionale në botë nuk mund ta mbushë për shumë gjatë boshllëkun mes Shqipërisë që transmetohet në ekranet e medias së qeverisë dhe Shqipërisë që qytetarët përjetojnë çdo ditë, nga Vermoshi deri në Konispol.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



