A do të nominohet Zelensky në Çmimin Nobel për Paqen?
Një grup politikanësh evropianë i janë drejtuar me një letër Komitetit të Çmimit Nobel për të zgjatur procedurën që do të lejonte nominimin e Volodymyr Zelenskyy dhe popullit të Ukrainës për Çmimin Nobel për Paqen.
Letra, e datës 11 mars, i bën thirrje Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen që të rihapë dhe të rishqyrtojë procedurën e nominimeve për vitin 2022 për çmimin.
Politikanët, mes të cilëve ka shumë eurodeputetë, duke përfshirë ish-kryeministrin e Belgjikës Guy Verhofstad dhe ish-kryeministrin e Estonisë Andrus Ansip, vlerësojnë “guximin e popullit të Ukrainës që i rezistoi kësaj lufte që u bë nga Federata Ruse” dhe sfidën e Presidentit Volodymyr Zelenskyy “burrit me lot në sy që i tha lamtumirë familjes së tij për të luftuar për vendin e tij”.
“Ne besojmë se tani është koha për t’i treguar popullit të Ukrainës se bota është në anën e tyre. Prandaj, ne ju bëjmë thirrje me përulësi, Komitetit, të konsideroni zgjatjen dhe në këtë mënyrë rihapjen e procedurës së nominimit për Çmimin Nobel për Paqe deri më 31 mars 2022 për të lejuar një nominim për Çmimin Nobel për Paqen për Presidentin Zelenskyy dhe popullin e Ukrainës”, thuhet ne letër.
Afati i fundit për paraqitjen e kandidatëve për Çmimin Nobel për Paqe skadoi në shkurt dhe lista me pak emra është tani në shqyrtim.
Nuk ka asnjë precedent historik të zgjatjes së afateve për paraqitjen e nominimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



