Tenderi 6.2 mln euro për burgjet, përplasje në KPP

Akuzave për favorizim të klientelës Rama-Meçe-Jorgji

Një tender me vlerë 6.2 milionë euro për mirëmbajtjen e pajisjeve të sigurisë në burgjet shqiptare po kthehet në një tjetër skandal publik, mes akuzave për manipulim, përjashtim të konkurrencës dhe favorizim të kompanive të lidhura me klientelën politike dhe financiare të qeverisë.

Tenderi i shpallur nga AKSHI në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për “mirëmbajtjen e sistemeve të sigurisë” në burgje, është kthyer në mollë sherri në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Kompania AESS në pronësi të biznesmenit Lefter Klemo ka depozituar një ankesë zyrtare ku akuzon autoritetin kontraktor për paracaktim të fituesit, nëpërmjet kritereve që përjashtojnë çdo konkurrent të ndershëm dhe i shërbejnë një grupi të caktuar kompanish: Advanced Business Solutions (në pronësi të Gerond Meçes), AlbaScan (Elton Jorgji), Real Com (Marjan Brraka) dhe CSP (Klevis Xhagolli).

Sipas ankesës, është kërkuar në mënyrë të qëllimshme certifikatë ekskluzive nga prodhuesit e pajisjeve, të cilat në Shqipëri i zotëron vetëm një kompani. Madje nuk është vënë në dispozicion asnjë informacion teknik për sistemet ekzistuese, duke bërë praktikisht të pamundur përgatitjen e ofertave të mirëfillta.

Tenderi nuk është ndarë në lote, por është paraqitur si një kontratë unike për skanerët, kamerat, sistemin e telefonisë dhe çdo pajisje tjetër  çka sipas ankimuesit është një mënyrë për të kufizuar konkurrencën dhe për të favorizuar bashkimin oligarkik të operatorëve që kontrollojnë gjithë tregun.

Pas skandaleve, të njëjtët emra në skenë

Në dhjetor 2023, sistemi penitenciar shqiptar u trondit nga një vrasje brenda burgut të Peqinit: i dënuari përjetë Sokol Mjacaj vrau një të burgosur dhe plagosi një tjetër, pasi futi armë brenda qelisë. Kamerat nuk funksiononin, skanerët ishin jashtë përdorimit, dhe kontrolli fizik ishte zero.

Menaxhimin e sigurisë në atë kohë e kishte AlbaScan, një nga operatorët e parashikuar të fitojnë edhe tenderin e ri.

Pak javë më vonë, një tjetër incident në burgun e Fierit  tentativë arratisjeje, kamera të fikura, mjetet e ndaluara të futura brenda  tregoi sërish dështimin e sistemit të sigurisë. Por për çudi, të njëjtat kompani vazhdojnë të fitojnë miliona euro tenderë, edhe pse skandalet janë të përsëritura.

Në shkurt 2024, drejtori i burgjeve Admir Braja dha dorëheqjen. U zëvendësua nga Klevis Qose. Por edhe me ndryshimin e emrave në krye, kontratat mbeten në të njëjtat duar.

Tashmë, tenderi po i afrohet përfundimit dhe sinjalet janë që sërish fondet publike do të përfundojnë tek “grupi i zakonshëm”  kompani me lidhje të forta me AKSHI-n, me ish-drejtues të përfolur si Gerond Meçe, dhe figura të afërta me qeverinë, që ndajnë mes tyre çdo segment të sigurisë në burgje.

Në vend të reformës, kemi rrotacion kontraktorësh që lë sistemin penitenciar në mëshirën e fatit  dhe qytetarët në kosto milionëshe pa transparencë.

Publikuar nga Publik Media