E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tension në Hagë, policia holandeze përplaset me mbështetësit e UÇK-së
Bota

Tension në Hagë, policia holandeze përplaset me mbështetësit e UÇK-së

Pak minuta para nisjes së seancës ku pritet të shpallet verdikti për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, situata jashtë selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë është tensionuar.

Qindra shqiptarë janë mbledhur pranë gjykatës, në pritje të vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Në një moment, policia holandeze u ka kërkuar disa herë protestuesve të largohen nga hyrja e godinës dhe të zhvendosen drejt parkut të përcaktuar nga autoritetet për zhvillimin e protestës.

Efektivët paralajmëruan se mosrespektimi i urdhrit mund të sillte ndërhyrje me forcë për largimin e turmës nga zona e hyrjes së gjykatës.

Njoftimi shkaktoi reagime te disa prej protestuesve, të cilët nisën të fyenin efektivët holandezë. Për disa momente situata u shoqërua me tension dhe përplasje verbale mes palëve.

Pas përsëritjes për herë të tretë të urdhrit nga policia, situata nisi të qetësohej dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndërprenë.

Në këtë moment ndërhyri edhe Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), i cili iu drejtua të pranishmëve duke kërkuar qetësi dhe shmangien e çdo konfrontimi.

“S’kemi punë me policinë holandeze”, u shpreh Gucati, duke u bërë apel protestuesve që të mos përplasen me autoritetet dhe të ruajnë qetësinë.

Tensioni u ul më pas, ndërsa vëmendja mbetet te zhvillimi i seancës dhe vendimi që pritet të shpallet për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.