E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
The Sun: ‘Lulëzimi’ i bandave shqiptare nën ‘hundën’ e shtetit
Lajme

The Sun: ‘Lulëzimi’ i bandave shqiptare nën ‘hundën’ e shtetit

Një artikull i gjatë investigativ i revistës britanike “The Sun” ka hedhur dritë mbi mënyrën se si krimi i organizuar shqiptar ka depërtuar thellë në strukturat sociale dhe ekonomike të vendit, përmes pastrimit të parave dhe investimeve luksoze. Në qendër të investigimit janë dy emra të njohur të botës së krimit: Franc dhe Hajdar Çopja.

Gazetarët e The Sun kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, ku kanë vizituar një nga “perlën” e investimeve të këtij klani: kompleksin “Solis Farm”, në kodrat e Baldushkut, vetëm 20 minuta larg Tiranës. Në pamje të parë, një agroturizëm i modelit evropian, me ullinj, vreshta dhe arkitekturë moderne, por në realitet, sipas autoriteteve, një skemë për pastrimin e miliona eurove të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.

Një prej fakteve më tronditëse të raportit të The Sun është se një nga lokalet e lidhura me Çopjat ndodhej vetëm 500 metra larg zyrës së Kryeministrit Edi Rama, në zemër të Tiranës – një tregues alarmues për mungesën e kontrollit ndaj pasurive të dyshimta.

Sipas raportimit, Franc Çopja, i cili vepronte nga një shtëpi e zakonshme në Tottenham të Londrës, kishte ngritur atje një qendër komanduese për menaxhimin e dërgesave të drogës nga Amerika Latine. Vëllai i tij, Hajdar Çopja, koordinonte nga Shqipëria logjistikën dhe investimet për pastrimin e parave – nga restorante dhe vila, deri te tokat bujqësore dhe kriptovalutat.

Perandoria e tyre nisi të shembet pas një konflikti brutal me klanin rival Alibej, pas “zhdukjes” së 50 kg kokaine gjatë një transporti. Ky përplasje u përshkallëzua në vrasjen e trefishtë në Bradashesh të Elbasanit, e më pas në atentatin mafioz në Belgjikë ndaj Ardi Spahiut, udhëheqësit të klanit rival.

Hetimet e SPAK dhe dekriptimi i aplikacionit të koduar Sky ECC nga Europol nxorën në dritë një rrjet kriminal të sofistikuar, me lidhje në Amerikën Latine, Europë dhe Shqipëri. Sot, Franc Çopja është ekstraduar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja është ende në arrati, dyshohet në Amerikën Latine.

Në fund, “The Sun” e përshkruan “Solis Farm” si simbolin më ironik të realitetit shqiptar: një parajsë e dukshme, ku nën rrënjët e ullinjve, ishin fshehur milionat e drogës, në dritë të diellit dhe përballë syve të shtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.