Si po adoptojnë grupet shqiptare taktikat e karteleve meksikane
Grupet kriminale shqiptare janë vënë sërish në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare, pasi tabloidi britanik The Sun ka raportuar se këto grupe po adoptojnë taktika brutale të ngjashme me ato të karteleve meksikane të drogës. Artikulli është fokusuar në një ngjarje të rëndë që ndodhi në fund të shtatorit në Bruksel, ku u gjet i varur në një tabelë rrugore shqiptari Bekim Halilaj, 29 vjeç, me precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar për trafik droge.
Halilaj, me origjinë nga Kukësi, ishte arrestuar dhe dënuar në vitin 2017 për përfshirje në një rrjet që trafikonte sasi të mëdha kokaine përmes portit të Southamptonit në Angli. Pas vuajtjes së dënimit, ai ishte deportuar në Shqipëri, por më pas kishte emigruar në Belgjikë. Autoritetet belge po hetojnë vrasjen e tij si një akt të lidhur me larje hesapesh brenda botës së krimit të organizuar.
Pamja e trupit të varur në një rrugë të populluar të Brukselit ka tronditur opinionin publik. The Sun citon burime që e përshkruajnë vrasjen si një “mesazh mafioz”, pas humbjes së një ngarkese të konsiderueshme droge, me qëllim trembjen e rivalëve dhe mbajtjen nën kontroll të territorit dhe tregut.
Profesori shqiptar i kriminologjisë, Ervin Karamuço, i përmendur gjithashtu në shkrim, deklaron se taktikat brutale të karteleve të Amerikës Latine po studiohen dhe po përvetësohen nga bandat shqiptare, duke përfshirë varjen e rivalëve, torturat, apo zhdukjet pa gjurmë.
Në disa raste të mëparshme në Britani, janë dokumentuar forma të dhunshme si rrëmbime, tortura dhe kërcënime për vdekje, të cilat dyshohet se kanë lidhje me konfliktet për kontrollin e rrjeteve të shpërndarjes së drogës apo fermave të kanabisit.
Një rast tjetër i përmendur nga tabloidi është ai i rrëmbimit të një shqiptari në Londrën Lindore, të cilit iu kërkua një shumë prej 400 mijë paundësh për lirim. Viktima u torturua për disa ditë dhe iu hoqën thonjtë, përpara se të shpëtohej nga policia. Megjithatë, procesi gjyqësor u rrëzua për shkak të mungesës së dëshmitarëve, ndërsa vetëm një prej të pandehurve u dënua për trafik droge.
Në Shqipëri, një tjetër ngjarje tronditëse ishte ajo e Arben Lleshit, i dënuar për vrasjen e një shqiptari tjetër në Britani, i cili u vra brenda burgut të Peqinit, ngjarje që po ashtu lidhet me llogari të prapambetura të botës së krimit.
Hetuesit europianë dhe ekspertët e sigurisë po ndjekin me shqetësim tendencat në rritje të dhunës ekstreme në rrjetet shqiptare të krimit të organizuar, veçanërisht për shkak të lidhjeve të mundshme të tyre me rrjete ndërkombëtare në Amerikën Latine dhe Evropë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



