Thirrje në rrjete sociale për bojkotimin e koncertit të Kanye West

debati për fondet publike vijon të ashpërsohet
Në rrjetet sociale po shtohen thirrjet për bojkotimin e koncertit të Kanye West në Tiranë, pas vendimit të qeverisë për të mbështetur financiarisht organizimin e eventit me rreth 4.2 milionë euro nga fondi i emergjencave.
Mesazhet që po qarkullojnë në internet argumentojnë se këto fonde duhej të përdoreshin për përmirësimin e shërbimeve publike, duke përmendur pensionet e ulëta dhe problematikat e raportuara në sistemin shëndetësor si arsye kryesore për kundërshtimin e financimit të koncertit.
“Nuk është luks, është tallje me popullin”, thuhet në një nga postimet që është shpërndarë gjerësisht, ndërsa përdorues të ndryshëm u bëjnë thirrje qytetarëve të mos marrin pjesë në koncert si formë proteste ndaj mënyrës së përdorimit të parave publike.
Nga ana tjetër, qeveria e ka justifikuar mbështetjen financiare duke argumentuar se eventi synon të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik dhe të gjenerojë përfitime ekonomike përmes rritjes së fluksit të vizitorëve.
Financimi i koncertit ka ndezur një debat të gjerë publik mbi prioritetet e buxhetit të shtetit, duke përballur argumentet për promovimin e turizmit me kërkesat për më shumë investime në pensione, shëndetësi dhe shërbime sociale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



