TIMAK, Ron Yeffet dhe Arjeta Puca kërcënojnë mediat me padi
Përgjimet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj kanë sjellë reagimin publik të TIMAK Defence, e cila ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj kompanisë dhe Ron Yeffet, ndërsa ka paralajmëruar ndjekje ligjore në Zvicër.
Kompania nuk e përmend Ahmetajn me emër në deklaratën e saj, por i referohet një “personi në arrati nga drejtësia shqiptare”, duke pretenduar se akuzat e bëra publike i kanë shkaktuar dëm reputacionit të shoqërisë, punonjësve dhe marrëdhënieve të saj të biznesit.
“TIMAK Defence kundërshton kategorikisht akuzat e rreme, të pabazuara dhe plotësisht të papranueshme të bëra nga një person në arrati nga drejtësia shqiptare. Këto akuza i kanë shkaktuar dëm serioz reputacionit të shoqërisë, punonjësve të saj dhe marrëdhënieve të saj të biznesit”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Paralajmërohet padi në Zvicër
TIMAK Defence ka bërë të ditur se do t’i drejtohet gjykatës kompetente në Zvicër, me qëllim mbrojtjen e emrit dhe interesave të saj.
“Për të mbrojtur emrin dhe interesat e saj legjitime, TIMAK Defence do të nisë procedurat ligjore pranë gjykatës kompetente në Zvicër. Shoqëria ka besim të plotë se faktet dhe provat do të flasin qartë përmes procesit të rregullt ligjor”, deklaron kompania.
Në reagim përfshihen edhe mediat shqiptare që kanë publikuar ose përcjellë pretendimet e bëra nga Ahmetaj. TIMAK Defence u kërkon atyre të verifikojnë informacionet dhe të korrigjojnë çdo raportim që kompania e konsideron të rremë ose çorientues.
Kompania thotë se deri tani ka zgjedhur të mos ndërmarrë masa ligjore ndaj mediave që kanë përcjellë këto pretendime, por paralajmëron se kjo qasje mund të ndryshojë.
“U bëjmë thirrje të gjitha mediave të përfshira që t’i shqyrtojnë faktet me përgjegjësi, të korrigjojnë çdo raportim të rremë ose çorientues dhe të sigurojnë që raportimet e ardhshme të respektojnë standardet bazë të saktësisë, paanshmërisë dhe etikës profesionale”, thuhet në deklaratë.
TIMAK Defence thekson gjithashtu se qëndrimi i saj nuk duhet interpretuar si pranim i ndonjë prej pretendimeve të publikuara dhe se është e gatshme të përdorë çdo mjet juridik për mbrojtjen e reputacionit dhe të drejtave të saj.
Si lidhen TIMAK Defence, Yeffet dhe KAYO
Reagimi i kompanisë vjen pas materialeve audio të publikuara nga Arben Ahmetaj, i cili ka ngritur pretendime për Ron Yeffet, duke e lidhur atë me interesa në industrinë ushtarake dhe me projekte të qeverisë shqiptare.
Këto pretendime janë kundërshtuar nga TIMAK Defence dhe, në mungesë të një vendimi gjyqësor që t’i vërtetojë, nuk përbëjnë në vetvete prova të fajësisë.
TIMAK Defence është krijuar në gusht 2025 si kompani me kapital të përbashkët, ku TIMAK zotëron 80% të aksioneve, ndërsa kompania shtetërore KAYO 20%.
Kjo strukturë vjen pasi, vetëm pak muaj më herët, ishte parashikuar që KAYO të kishte të paktën 45% të pjesëmarrjes në një ndërmarrje të tillë. Përpara krijimit të kompanisë së përbashkët, kjo pjesëmarrje u reduktua në 20%.
Në këtë histori përfshihet edhe Ron Yeffet. Më 17 qershor 2025, ai mori 49% të aksioneve të TIMAK-ut. Përmes kësaj pjesëmarrjeje dhe faktit që TIMAK zotëron 80% të TIMAK Defence, Yeffet rezulton me një ekspozim indirekt prej 39.2% në kompaninë e përbashkët me shtetin.
Pas debatit publik, ortakja e tij, Arjeta Puca, ka dalë publikisht në mbrojtje të aktivitetit të kompanisë. Ajo ka deklaruar se ekziston një kontratë sipas së cilës Yeffet është angazhuar për një investim prej 70 milionë eurosh.
Pikërisht struktura e pronësisë, reduktimi i pjesëmarrjes së KAYO-s nga minimumi i parashikuar prej 45% në 20%, hyrja e Yeffet në TIMAK dhe krijimi i TIMAK Defence janë ndër elementet që kanë vendosur kompaninë në qendër të debatit publik pas publikimit të përgjimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



