Tragjedi në Vaun e Dejës, humbin jetën roja dhe elektricisti
pasi ranë në kontakt me rrymën
Është rënduar bilanci i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, ku dy persona ranë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali bar-kafe.
Pas rojës së lokalit, Sokol Preka, ka humbur jetën edhe elektricisti David Deda, duke e çuar në dy numrin e viktimave.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, Sokol Preka, 40 vjeç, i cili punonte si roje në lokalin në pronësi të shtetasit Gj. S., dhe David Deda, 46 vjeç, me profesion elektricist, dyshohet se ranë në kontakt me energjinë elektrike.
Preka humbi jetën gjatë transportimit drejt spitalit, ndërsa Deda u raportua fillimisht në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pak më vonë, Policia përditësoi informacionin, duke konfirmuar se edhe elektricisti 46-vjeçar kishte humbur jetën gjatë transportimit për në spital.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Karmë, ju informojmë se edhe shtetasi D. D., 46 vjeç, elektricist, ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital”, njoftoi Policia.
Ende nuk dihet se çfarë po bënin dy personat në momentin kur ranë në kontakt me rrymën dhe çfarë e shkaktoi aksidentin fatal.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


