E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tre muaj pas zjarrit te pallati, banorët e Armand Lilos ende rrugëve
Lajme

Tre muaj pas zjarrit te pallati, banorët e Armand Lilos ende rrugëve

Kanë kaluar afro tre muaj nga zjarri që përfshiu pallatin e ndërtuar nga Mand Lilo përballë QSUT-së, një ngjarje që tronditi opinionin publik për shkak të përmasave dhe shpejtësisë me të cilën u përhapën flakët. Megjithatë, për dhjetëra familje të prekura, situata mbetet e pandryshuar dhe pa një zgjidhje konkrete.

Godina e dëmtuar rëndë vazhdon të qëndrojë në të njëjtën gjendje, ndërsa banorët janë ende të zhvendosur dhe pa një afat të qartë për rikthimin në banesat e tyre. Shumë prej tyre kishin investuar kursimet e një jete për të siguruar një apartament, i cili sot mbetet i pabanueshëm.

Pas ngjarjes, kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se rindërtimi i pallatit do të merrej përsipër nga kompania ndërtuese Arlis Construction. Por, ndonëse kanë kaluar javë të tëra që nga ky premtim, nuk është shënuar asnjë zhvillim konkret në terren dhe punimet nuk kanë nisur.

Ndërkohë, familjet e prekura jetojnë në pasiguri dhe pritje, duke kërkuar që premtimet institucionale të konkretizohen. Për ta, dëmi nuk është vetëm material, por edhe emocional, pasi kanë humbur jo vetëm shtëpitë, por edhe ndjesinë e sigurisë dhe stabilitetit.

Situata bëhet edhe më kontradiktore në sytë e banorëve, teksa ndërtuesi Mand Lilo vijon aktivitetin në tregun e ndërtimit, duke marrë projekte të reja dhe duke shitur apartamente, ndërsa çështja e pallatit të djegur mbetet e pazgjidhur.

Tre muaj pas ngjarjes, godina përballë QSUT-së është kthyer në simbol të një premtimi të pambajtur, ndërsa dhjetëra familje vazhdojnë të përballen me pasojat e një tragjedie që për ta nuk ka përfunduar ende.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.