E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tregu i punës po tkurret nga emigracioni dhe plakja e popullsisë
Lajme

Tregu i punës po tkurret nga emigracioni dhe plakja e popullsisë

Treguesit kryesorë të punësimit dhe papunësisë në Shqipëri kanë shënuar rënie në tremujorin e dytë të vitit 2025, duke reflektuar më shumë zhvendosjet demografike sesa lëvizjet reale të tregut të punës.

Punësimi në rënie, veçanërisht te të rinjtë

Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, numri i të punësuarve mbi 15 vjeç ra në 1,171,084 persona, me 10,872 më pak se një vit më parë, një ulje prej 0,9%. Tkurrja u ndje më fort tek të rinjtë 15–29 vjeç, ku u humbën mbi 11 mijë vende pune, por edhe grupmosha 30–64 vjeç humbi mbi 7 mijë të punësuar.

Edhe numri i të papunëve mbi 15 vjeç mbeti praktikisht i pandryshuar, me një rënie modeste prej vetëm 311 personash. Tek të rinjtë 15–29 vjeç norma e papunësisë u tkurr me 5,6%, ndërsa grupmosha 30–64 vjeç regjistroi një rritje të lehtë të të papunëve, duke sinjalizuar sfida të reja për këtë kategori.

Forca e punës dhe popullsia aktive, gjithashtu në tkurrje

Forca e punës – e cila përfshin të punësuarit dhe të papunët aktivë – u tkurr me 11,183 persona krahasuar me një vit më parë, ose rreth 1%. Rënia më e madhe u vu re tek të rinjtë, me mbi 22 mijë individë më pak, ndërsa tek grupmosha 30–64 vjeç pati një rritje prej 2,703 personash.

Edhe popullsia inaktive mbi 15 vjeç u ul me rreth 5,400 persona, duke treguar një lëvizje të vogël drejt kërkimit të punës, por jo aq të fortë sa të kompensojë largimet masive.

Emigracioni dhe lindjet e ulëta po ndryshojnë strukturën demografike

Të dhënat pas Censit 2024 tregojnë se deri në fillim të vitit 2025 popullsia e vendit është tkurrur me mbi 39 mijë persona, kryesisht të rinj. Emigracioni i lartë dhe norma e ulët e lindjeve po e plakin shpejt shoqërinë shqiptare, duke bërë që treguesit e punësimit dhe papunësisë të pasqyrojnë më tepër këtë transformim demografik sesa zhvillimet reale të ekonomisë.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse trendi vazhdon, Shqipëria do të përballet me mungesë gjithnjë e më të madhe të fuqisë punëtore, me pasoja të drejtpërdrejta për rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e skemave sociale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.