E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U arrestua për ngacmim seksual, mjeku i Korçës përfundon në spital
Lajme

U arrestua për ngacmim seksual, mjeku i Korçës përfundon në spital

Avokatja: Akuza të përsëritura ndër vite, po mbërrijnë denoncime të tjera

Mjeku kirurg Nikolla Nunka, i arrestuar për akuzën e ngacmimit seksual ndaj një 21-vjeçareje, ndodhet aktualisht i shtruar në spitalin e Korçës, pasi shfaqi probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në ambientet e komisariatit.

Sipas informacioneve paraprake, Nunka ka pasur edhe më herët probleme me zemrën dhe nuk është ndjerë mirë pas shoqërimit nga policia, çka ka bërë të nevojshëm transportimin e tij me urgjencë drejt spitalit për kontroll mjekësor.

Burime bëjnë me dije se pas ekzaminimeve dhe kryerjes së EKG-së, mjekët kanë konstatuar shqetësime kardiake, ndërsa kardiologu ka vendosur që ai të qëndrojë i shtruar dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Ndërkohë, pritet të merret një vendim edhe për zhvillimin e seancës për masën e sigurisë, e planifikuar për ditën e nesërme, e cila mund të mbahet në ambientet e spitalit.

Në të njëjtën kohë, pak ditë pas shpërthimit të skandalit në spitalin e Korçës, ku një 21-vjeçare e denoncoi kirurgun për abuzim, ka reaguar publikisht edhe avokatja e të dëmtuarës. Refxhei Tola deklaron se rasti nuk është i izoluar, por sipas saj kemi të bëjmë me një fenomen të përsëritur ndër vite.

“Sot flas në cilësinë e një gruaje dhe të një nëne. Arsyeja pse kërkova të jap këtë deklaratë është sepse kemi marrë edhe disa denoncime të tjera, të cilat datojnë edhe para 33 vitesh, ndërsa i fundit është bërë 1 vit më parë, për të njëjtat raste abuzimi që doktori në fjalë ka kryer ndaj vajzave dhe grave të tjera. Është një rast i përsëritur. Si ka mundur të integrohet dhe të qëndrojë për një kohë kaq të gjatë një mjek në sistemin spitalor, duke dhënë shërbime për individë të ndryshëm, për vajza dhe djem, në kushte të caktuara? Është një çështje shumë sensitive”, u shpreh ajo.

Avokatja bëri të ditur se denoncimet vijojnë të mbërrijnë në studion ligjore, ndërsa i bëri thirrje çdo viktime të mundshme që të dalë dhe të flasë.

“Vlerësoj vajzën që denoncoi. Drejtësia e re duhet të reagojë nëpërmjet këtij shembulli, që maniakët, abuzuesit dhe pedofilët të mos shkelin më mbi gjakun e fëmijëve tanë. Deri tani nuk kemi marrë asnjë informacion, as ato që u takojnë avokatëve mbrojtës. Ne jemi një ekip prej 3 avokatësh që po asistojmë viktimën e abuzuar, por jemi të gatshëm të asistojmë edhe të gjitha denoncimet e tjera që do të vijnë. U bëj thirrje grave të vijnë të denoncojnë. Ne ju garantojmë anonimat të plotë. Në Shqipërinë tonë, ky fenomen ndodh rëndom dhe nuk merren masa të caktuara ndëshkimore, por raste të tilla përfundojnë duke u trajtuar vetëm me arrest shtëpie”.

Sipas saj, bëhet fjalë për akuza që shtrihen në kohë, duke përfshirë ngjarje që datojnë që prej më shumë se tre dekadash.

“Bëhet fjalë për akuza dhe denoncime ndaj këtij mjeku që kanë ardhur në studion tonë ligjore. Janë akuza të cilat datojnë për ngjarje, e para fillon rreth 33 viteve më parë, dhe më e fundit që ka ardhur është para një viti. Sigurisht që mua më duhet të ruaj anonimatin. Këto denoncime janë duke u trajtuar nga studioja jonë ligjore para se të shkojnë në strukturat përkatëse të drejtësisë. Ne duam të faktojmë që ky rast është një rast i përsëritur dhe se ky problem nuk qëndron vetëm tek mjeku. Kemi të bëjmë me një strukturë spitalore e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të bërë një hetim administrativ, edhe pse ka pasur çdo indicie të mjaftueshme për të mos e mbajtur më këtë mjek në atë vend pune, ku ai ka pasur mundësinë të shfrytëzojë dhe të përdorë njerëz në kushte vulnerabël”, tha Tola.

E pyetur nëse ka elementë që përfshijnë edhe mjekë të tjerë, ajo u përgjigj:
“Për këto elementë nuk mund të përgjigjem, janë pjesë e hetimit”.

Sa i përket rastit më të fundit, avokatja theksoi se ende nuk ka informacion zyrtar nga organet ligjzbatuese, ndërsa puna për mbledhjen e provave vijon.

“Rasti i fundit është një rast i një vajze të re. Është, mesa duket, mjeku ka pothuajse të njëjtën praktikë pune me të gjitha vajzat që i vijnë. Jemi duke trajtuar, duke mbledhur provat e nevojshme për ta depozituar në polici dhe në prokurori. Nuk kam mundur të njihem me dosjen, pasi ne sot jemi autorizuar me prokurën për të qenë avokatët mbrojtës të vajzës dhe pas kërkesës që kemi bërë në prokurori, ende nuk e kemi marrë informacionin, edhe pse është një situatë e paprecedentë që të mos jepet informacioni. Megjithatë jemi duke drejtuar të gjitha kërkesat zyrtare me shkrim, me email, për t’ia dërguar prokurorisë, në pritje për të marrë informacionin e nevojshëm para dhënies së masës së sigurimit të mjekut”.

Në përfundim, ajo theksoi se qëllimi është të provohet se kemi të bëjmë me një rast të përsëritur dhe jo të izoluar, duke bërë apel që çdo rast i ngjashëm të denoncohet.

“Ne po punojmë për t’i bërë prezente, sepse ajo që ne duam të ndërtojmë në mbrojtjen tonë efektive është të japim të kuptojmë që ky është një rast i përsëritur, pra nuk është një rast që ka ndodhur njëherë dhe kaq. Pra është një rast i përsëritur dhe kjo është ajo që ne po punojmë për të bërë. Dhe prandaj unë jam këtu për t’i bërë thirrje edhe njëherë të gjitha grave dhe vajzave që janë ndjerë të abuzuara: Është koha për të folur, sepse mesa duket tashmë ka ardhur radha e fëmijëve tanë, pra nuk është më radha jonë për t’u abuzuar, dhe kjo është e patolerueshme në themel”, përfundoi avokatja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.