“Hajde te lali zemra”/ Ndalimi i mësuesit në Vlorë, prindërit në dijeni të akuzave për ngacmim seksual
Shtatë nxënëse të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” në Selenicë kanë denoncuar në polici mësuesin e edukimit fizik, duke ngritur akuza për ngacmime seksuale dhe sjellje të papërshtatshme në ambientet e institucionit arsimor. Rasti ka vënë në lëvizje Policinë e Vlorës, e cila ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe për të dokumentuar pretendimet e ngritura nga vajzat.
Pas kallëzimit të bërë nga nxënëset, efektivët kanë shoqëruar 35-vjeçarin Albano Ameti, i cili prej rreth dy muajsh ishte pjesë e stafit pedagogjik të shkollës.
Vajzat që kanë denoncuar mësuesin janë të moshave 14 deri në 17 vjeç, çka e bën edhe më shqetësues rastin e raportuar në këtë institucion arsimor.
Gjatë interesimit në terren në Selenicë, nxënës të shkollës “Hajredin Beqari” kanë treguar se pretendimet për sjelljen e mësuesit ishin dëgjuar edhe mes tyre. Disa prej tyre kanë bërë të ditur se mbrëmjen e kaluar janë paraqitur në ambientet e Policisë së Vlorës, ku janë marrë në pyetje nga grupi hetimor për të dhënë informacionet që disponojnë lidhur me ngjarjen.
Edhe prindër të nxënëseve kanë pohuar se kishin dëgjuar më herët për pretendime mbi sjellje të papërshtatshme të mësuesit ndaj vajzave, përfshirë ngacmime dhe prekje fizike.
“Hajde te lali zemra”, dëshmia e nxënësit dhe reagimi i kolegut
Një prej detajeve që ka dalë gjatë interesimit për rastin lidhet me mënyrën se si mësuesi dyshohet se u drejtohej nxënëseve. Një nxënës ka treguar se ai përdorte shprehje të tilla si “hajde te lali zemra”, ndërsa sipas dëshmisë, vajzat ngacmoheshin edhe verbalisht.
Nga ana tjetër, kolegu i 35-vjeçarit, mësuesi Dritan Gargaj, ka shprehur mosbesim ndaj akuzave të ngritura. Ai ka deklaruar se e njihte Albano Ametin prej rreth dy muajsh dhe se nuk beson që ai të ketë kryer veprime të tilla.
Ndërkohë, hetimet e Policisë së Vlorës vijojnë për të verifikuar çdo pretendim, për të marrë dëshmitë e nxënëseve dhe personave të tjerë që mund të kenë dijeni për rastin, si dhe për të zbardhur plotësisht atë që ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



