USB e SPAK-ut, 10 mijë faqe me prova për Belinda Ballukun
Avokatët duan 3 javë kohë, prokurori ‘lëshon’ vetëm 5 ditë
Po zhvillohet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Deri në këtë fazë të diskutimeve, është bërë me dije se kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka lexuar relacionin përkatës, ndërsa prokurorët e SPAK, përfshirë edhe kreun Klodian Braho, ende nuk kanë marrë fjalën.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura, kërkesë që është kundërshtuar nga Taulant Balla.
Debate janë zhvilluar edhe lidhur me një USB që përmban provat e SPAK. Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar që materialet të hapen dhe t’u vihen në dispozicion anëtarëve të Këshillit për shqyrtim, ndërsa nga mazhoranca është theksuar se provat mund të shihen vetëm brenda sallës.
Prokuroria ka kërkuar hapjen e zarfit me USB-në, në mënyrë që anëtarët e Këshillit të njihen me materialet, ndërsa avokati i Ballukut ka insistuar se i nevojitet qasja në prova për të ndërtuar mbrojtjen.
Bëhet me dije se në USB ndodhen rreth 10 mijë faqe prova. Ende nuk është vendosur mënyra se si do të administrohen materialet, ndërsa mbrojtja ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me aktet. Nga ana tjetër, prokuroria ka vlerësuar se pesë ditë janë të mjaftueshme për shqyrtimin e dokumentacionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



