E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ushtria izraelite gati planin operacional për një ofensivë në Liban
Bota

Ushtria izraelite gati planin operacional për një ofensivë në Liban

Ushtria izraelite tha se planet operacionale për një ofensivë në Liban janë “miratuar dhe vërtetuar”. Kështu shkruan Times of Israel. Planet morën dritën jeshile nga kreu i Komandës Veriore të IDF, gjeneral Ori Gordin dhe kreu i Drejtorisë së Operacioneve, gjenerali Oded Basiuk.

Në një deklaratë, IDF tha se gjeneralët mbajtën një takim strategjik gjatë të cilit “u miratuan planet operative për një ofensivë në Liban”. Komandantët e lartë morën gjithashtu vendime në lidhje me “përshpejtimin e gatishmërisë së forcave në terren”, shtoi ushtria.

Njoftimi vjen mes sulmeve të përsëritura nga Hezbollahu dhe grupet aleate palestineze në Liban në Izraelin verior, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë.

SHBA, thirrje ‘urgjente’ për ndërprerjen e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban

Shtetet e Bashkuara të martën bënë thirrje për ndërprerjen e luftimeve ndërkufitare dhe uljen e tensioneve mes Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, ndërsa rritet kërcënimi për një luftë në shkallë të gjerë.

Komentet e të dërguarit të posaçëm amerikan Amos Hochstein në Bejrut u bënë të martën ndërsa sulmet vazhduan të përshkallëzoheshin në të dy anët e kufirit, njofton Zëri i Amerikës. Izraeli dhe Hezbollahu filluan shkëmbimet me armë më 8 tetor, një ditë pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor.

Sulmet e fundit, duke përfshirë sulmin e Hezbollahut me dron të martën ndaj një tanku izraelit, pasuan një sulm izraelit në Libanin jugor, në të cilin u vra një komandant i lartë i Hezbollahut javën e kaluar.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani, i cili ishte aleat me grupin militant palestinez Hamas, ka thënë se do të ndalonte sulmet vetëm pas arritjes së një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka thënë se ai shpreson për një fund të konfliktit me Izraelin, por është i përgatitur të vazhdojë sulmet nëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu “këmbëngul” për vazhdimin e luftës.

“Ne shpresojmë se lufta do të ndalet shumë shpejt, por nëse Netanyahu këmbëngul për luftë, ai do ta çojë entitetin zionist në katastrofë dhe do ta çojë frontin kundërshtar drejt një fitoreje historike të madhe dhe krenare”, tha ai.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se Hezbollahu po e vë në rrezik Libanin me përpjekjet e tij për të qenë “mburojë për Hamasin”.

“Agresioni në rritje i Hezbollahut po na çon në prag të asaj që mund të jetë një përshkallëzim më i gjerë, që mund të ketë pasoja shkatërruese për Libanin dhe të gjithë rajonin”, tha zëdhënësi Hagari.

I dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Amos Hochstein i bëri thirrje Hamasit që të pranonte një marrëveshje armëpushimi të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ajo do të ndihmonte edhe në uljen e tensioneve në konfliktin përgjatë kufirit jugor të Libanit.

Zoti Hochstein tha se një armëpushim ose një zgjidhje diplomatike për të ndalur konfliktin Izrael-Hezbollah është “urgjente”.

Sipas mediave, rreth 473 individë në Liban, duke përfshirë 94 civilë, janë vrarë që nga 8 tetori i vitit të kaluar. Zyrtarët izraelitë kanë raportuar të paktën 26 vdekje në Izrael për shkak të konfliktit, 11 prej të cilëve thuhet se janë civilë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.