Ushtronin prostitucion në Tiranë, 5 shtetase të huaja në pranga
Një operacion i policisë në Tiranë ka çuar në arrestimin e pesë shtetaseve të huaja, të dyshuara për ushtrim prostitucioni në apartamente të marra me qira ditore, ndërsa aktiviteti dyshohet se promovohej edhe përmes rrjeteve sociale.
Operacioni i koduar “Last meeting” është zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas një pune operative dhe monitorimi të aktivitetit të publikuar në hapësirën digjitale.
Sipas të dhënave të policisë, aktiviteti zhvillohej në tre apartamente të marra me qira në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre shtetase vietnameze, përkatësisht V. P., 40 vjeçe, P. K., 42 vjeçe dhe P. M., 33 vjeçe, si dhe dy shtetase kineze, L. Y., 42 vjeçe dhe X. H., 42 vjeçe.
Hetimi ka çuar gjithashtu në identifikimin e një shtetasi vietnamez, i cili është shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për T. T., 35 vjeç, i dyshuar se siguronte kundrejt përfitimit kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie nga tre shtetaset vietnameze të arrestuara.
Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Hetimi nisi nga gjurmët në rrjetet sociale
Sipas autoriteteve, një prej pikave kryesore të punës hetimore ka qenë monitorimi i hapësirës digjitale, ku ishin konstatuar postime dhe reklama që lidhen me ofrimin e shërbimeve seksuale.
Nga verifikimet operative, hetuesit kanë arritur të identifikojnë apartamentet ku dyshohet se zhvillohej aktiviteti dhe më pas kanë ndërhyrë për dokumentimin e tij.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe 5 telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për publikimin e njoftimeve dhe komunikimet që lidhen me këtë aktivitet.
Përveç pesë shtetaseve të arrestuara dhe personit të shpallur në kërkim, policia ka vënë nën hetim edhe dy shtetas të tjerë, të dyshuar si përfitues nga veprimtaria.
Materialet e mbledhura gjatë operacionit i janë referuar Prokurorisë për vijimin e procedurave dhe përcaktimin e përgjegjësive penale për secilin prej personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të mënyrës së organizimit të aktivitetit, personave që e mundësonin atë dhe rolit të secilit prej të dyshuarve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



