Vetëm 9 ditë në detyrë, Sadleva Bodo dorëhiqet nga Burgjet
Sadleva Bodo është ndër emrat e parë që i është përgjigjur kërkesës për dorëheqje të drejtuesve të institucioneve shtetërore, të përcjellë nga kryeministri Edi Rama. Ajo ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve, vetëm nëntë ditë pasi ishte emëruar në këtë post.
Bodo është paraqitur mëngjesin e së premtes në Ministrinë e Drejtësisë, ku ka dorëzuar dorëheqjen, pas kërkesës së komunikuar nga ministri Toni Gogu.
Rasti tërheq vëmendje për kohën e shkurtër që ajo qëndroi në detyrë. Bodo u emërua më 14 tetor me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zëvendësuar Adriatik Kupin, i cili ishte larguar pas rreth shtatë muajsh në krye të institucionit.
Tashmë, edhe pasardhësja e tij ka paraqitur dorëheqjen, pa pasur më shumë se nëntë ditë në dispozicion për të ushtruar funksionin dhe për të treguar rezultatet e punës së saj.
Lëvizja vjen një ditë pas takimit të zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, rreth orës 15:00, ku Toni Gogu u ka komunikuar drejtuesve të institucioneve në varësi kërkesën për largim nga detyra.
Valë dorëheqjesh në administratë
Kërkesa e kryeministrit Edi Rama raportohet se përfshin drejtues të institucioneve të varësisë në disa ministri, si dhe të agjencive shtetërore e kompanive publike në sektorë të ndryshëm.
Në listën e institucioneve ku priten lëvizje përfshihen Tatimet, Doganat dhe struktura të tjera të administratës publike. Sipas raportimeve, procesi i paraqitjes së dorëheqjeve ka nisur këtë të premte, më 23 tetor, dhe pritet të përfundojë deri të hënën, më 26 tetor.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse dorëheqjet do të sjellin largimin përfundimtar të drejtuesve apo nëse disa prej tyre do të rikonfirmohen në postet që mbajnë. Deri në marrjen e vendimeve përkatëse, nuk mund të konsiderohet i përcaktuar fati i secilit prej tyre.
Dorëheqja e Sadleva Bodos shënon një nga lëvizjet e para të raportuara në këtë proces, i cili pritet të sjellë ndryshime në drejtimin e disa institucioneve shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



