E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veteranët e UÇK-së thërrasin protestë gjithëpopullore në Prishtinë
Lajme

Veteranët e UÇK-së thërrasin protestë gjithëpopullore në Prishtinë

Një ditë pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, veteranët dhe familjarët e dëshmorëve kanë paralajmëruar protestë paqësore dhe krijimin e një platforme të përbashkët deri në përfundim të procesit të apelit.

Organizatat e dala nga lufta në Kosovë kanë thirrur një protestë gjithëpopullore në Prishtinë, në reagim ndaj vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta do të zhvillohet të premten, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Thirrja është bërë një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një konferencë për mediat, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e kundërshtoi vendimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si të padrejtë. Përfaqësuesit e organizatës deklaruan se procesi gjyqësor, sipas tyre, synon të vendosë në të njëjtin plan luftën e UÇK-së dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Gazmend Syla tha se asnjë vendim gjyqësor nuk mund të ndryshojë, sipas tij, vlerësimin që veteranët kanë për luftën çlirimtare.

“Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të padrejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje”, deklaroi Syla.

Përtej protestës së së premtes, organizatat kanë paralajmëruar edhe një nismë më të gjerë politike dhe shoqërore gjatë periudhës së apelit.

Sipas Sylës, synimi është krijimi i një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme të përbashkët ku të përfshihen institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, Shqipëria, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, si dhe diaspora.

Ai theksoi se protesta e paralajmëruar në Prishtinë do të jetë paqësore dhe u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë pa maska apo forma dhune.

“Do t’i përgjigjemi kësaj padrejtësie me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, shqiptarët në viset e tjera dhe mërgata jonë. Protesta që organizohet nesër është protestë paqësore, jo e dhunshme, pa maska. Fytyrat i kemi të ndershme, s’kemi nevojë të vendosim maska”, u shpreh Syla.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

Jashari e konsideroi aktgjykimin një goditje që, sipas tij, nuk prek vetëm ish-krerët e UÇK-së të përfshirë në proces, por edhe vetë luftën dhe shtetësinë e Kosovës.

Ai u bëri thirrje familjeve të dëshmorëve që t’i bashkohen reagimit publik dhe protestës së paralajmëruar në Prishtinë.

Reagimi i organizatave të dala nga lufta vjen në një moment kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të vijojë me procedurat e apelit, ndërsa në Kosovë janë paralajmëruar edhe forma të tjera të reagimit institucional dhe qytetar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.