VIDEO/ Dalin PAMJET para vrasjes së Liridona Ademajt
Sinjalizimi që Naim Murseli i dha Granit Plavës
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Prokuroria ka prezantuar të hënën prova të reja lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, që ndodhi më 29 nëntor 2023.
Sipas hetimeve, i akuzuari kryesor Naim Murseli sinjalizoi bashkëpunëtorin e tij, Granit Plavën, për të kryer ekzekutimin. Pamjet filmike dhe audio-incizimet e siguruara nga lokali ku ndodhi darka e fundit e Murselit me Liridonën dhe dy fëmijët e tyre, tregojnë çdo moment të aktivitetit të dyshuar.
“Paraprakisht Naim Murseli ngrihet nga tavolina me telefon në dorë, afrohet te Granit Plava dhe kthehet pas dy minutash,” deklaroi prokurorja Javorka Perlinçeviç.
Hetimet tregojnë se dy të dyshuarit ishin takuar më parë në fshatin Rakovinë, pranë një pompe benzine, rreth orës 16:30. Pas këtij takimi, pamjet tregojnë Murselin duke i dhënë një pije energjike Plavës, ndërsa më pas largohen së bashku, sipas prokurores, duke koordinuar veprimin kriminal.
Audio-incizimet nga momenti i vrasjes dëshmojnë krismat e armës dhe britmat e fëmijëve, ndërsa video të tjera dokumentojnë Plavën duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria ka paraqitur gjithashtu fotografi që tregojnë Murselin pas përfundimit të qëndrimit në polici, duke u takuar me Kushtrim Kokallën dhe Valon Llukën në një hotel të Prishtinës. “Fotografia numër 50 tregon Naim Murselin së bashku me Kushtrim Kokallën duke hyrë në hotel. Fotot e mëtejshme, 51 dhe 52, dokumentojnë aktivitetin në recepsion dhe pagesat e bëra,” shtoi prokurorja.
Hetimet vijojnë dhe materialet e paraqitura përforcojnë versionin se krimi ishte i planifikuar me përpjekje të qarta koordinimi nga Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



